Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku ata shfaqen duke tejkaluar kompetencat gjatë ndërhyrjes në një tubim. Për rastin është urdhëruar edhe nisja e hetimit disiplinor. Sipas reagimit zyrtar të Policisë së Shtetit, vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, menjëherë pas publikimit të pamjeve që, sipas institucionit, tregojnë tejkalim të detyrës dhe shkelje të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë. Dy punonjësit e pezulluar janë identifikuar me inicialet E. P. dhe T. Ç., të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë. Krahas pezullimit të menjëhershëm, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë hetimin disiplinor për të dy efektivët, me qëllim shqyrtimin e veprimeve të tyre gjatë ndërhyrjes.
