Bashkia e Vlorës ka nisur një aksion për prishjen e 25 objekteve, shtesave dhe ndërtimeve pa leje në zonën pranë bllokut të Tregut të Orizit. Ndërhyrja po zhvillohet në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit dhe Policinë Bashkiake, me asistencën e shërbimit zjarrfikës. Në terren ka qenë e pranishme edhe kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, e cila ka ndjekur nga afër zhvillimin e aksionit. Sipas Bashkisë, ndërhyrja synon lirimin e hapësirës për hapjen e rrugës, në kuadër të projektit për rikonstruksionin total të këtij blloku banimi. Aksioni pritet të vijojë me shembjen e të gjitha ndërtimeve të parashikuara në projekt, duke i hapur rrugë rehabilitimit, sistemimit dhe rikualifikimit të zonës.
