Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, ka folur lidhur me rregulloren e re të GJKKO-së, e cila ndalon përdorimin e celularëve gjatë seancave gjyqësore. Haxhia tha se avokatët i kanë dërguar një kërkesë zyrtare Gjykatës së Posaçme për rishikimin e kësaj mase, por deri më 8 shtator nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Sipas Haxhisë, rregullorja bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, praktikën e Gjykatës së Strasburgut, por edhe me Kodin e Procedurës Penale. Ai e cilësoi mungesën e një përgjigjeje nga GJKKO-ja si “mungesë respekti institucional” ndaj avokatëve. “Me t’u përballur me këtë rregullore, kryetari i Dhomës, së bashku me kryetarin e Dhomës së Tiranës, kemi bërë reagimin e parë në media, duke kundërshtuar rregulloren e re si një akt që bie ndesh jo vetëm me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me Strasburgun, por bie ndesh edhe me Kodin e Procedurës Penale”, tha Haxhia. Ai bëri të ditur se avokatët i kanë kërkuar zyrtarisht GJKKO-së rishikimin e rregullores, por sipas tij, institucioni nuk ka dhënë asnjë përgjigje. “I kemi dërguar letër GJKKO-së, ku i kemi kërkuar rishikimin e rregullores dhe deri më sot, që është data 8, nuk kemi asnjë reagim nga ky institucion. Të paktën të thotë që e morëm kërkesën. Gjë që tregon mungesë respekti institucional dhe na konfirmon në vazhdimësi trajtimin që u bëjnë avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre”, u shpreh kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Haxhia tha gjithashtu se i ka kërkuar një takim urgjent kreut të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të diskutuar masën, por është informuar se KLGJ-ja nuk do të mblidhet para datës 15 shtator. “I kam kërkuar kreut të KLGJ-së një takim urgjent për këtë masë dhe më është komunikuar që ky Këshill nuk mblidhet para datës 15. Ne insistojmë që duhet ta bëjmë këtë takim”, deklaroi Haxhia.
