Lumi i Verdovës në Pogradec po lirohet nga ndërtimet pa leje që kanë zënë hapësirat përgjatë tij, duke penguar ndërhyrjet për rehabilitimin e shtratit lumor.
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Pogradecit ka nisur aksionin e shembjes së objekteve në kuadër të projektit që synon sistemimin e lumit dhe parandalimin e përmbytjeve në këtë zonë.
Ndërhyrja e parë është përqendruar në zonën e Unazës, ku fadromat kanë nisur shembjen e dy banesave dykatëshe, mureve rrethuese dhe magazinave. Këto struktura, sipas bashkisë, përbëjnë pengesë për realizimin e projektit dhe lirimin e hapësirave të nevojshme për ndërhyrjen në shtratin e Verdovës.
Rehabilitimi i lumit të Verdovës është një projekt i rëndësishëm për zonën, veçanërisht për familjet që jetojnë përgjatë tij dhe që ndër vite janë përballur me pasojat e daljes së lumit nga shtrati.
Gjatë muajve të dimrit, prurjet e larta kanë shkaktuar vazhdimisht përmbytje të banesave, duke e kthyer sistemimin e këtij segmenti në një ndërhyrje me rëndësi për sigurinë e banorëve.
Projekti i Bashkisë së Pogradecit synon rehabilitimin e plotë të lumit, përmirësimin e rrjedhës së ujërave dhe reduktimin e rrezikut të përmbytjeve në periudhat me reshje intensive./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *AnashAktualitet
