Një 18-vjeçar është arrestuar nga Policia në Belsh, pasi dyshohet se aksidentoi një 14-vjeçare me një motomjet që e drejtonte pa leje drejtimi dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 13:10 në fshatin Shalës. I riu, shtetasi me inicialet A. N., dyshohet se humbi kontrollin e motomjetit dhe përplasi 14-vjeçaren, duke u larguar më pas nga vendi i aksidentit. Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Policisë nisën menjëherë veprimet për identifikimin dhe lokalizimin e drejtuesit të motomjetit. Brenda një kohe të shkurtër, 18-vjeçari u identifikua, u lokalizua dhe u arrestua. 14-vjeçarja u transportua në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ndaj 18-vjeçarit rëndojnë akuzat për “Shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimin nga vendi i aksidentit”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
