Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve lidhur me dokumentacionin e dy egjiptianëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur pranë rrethrrotullimit të TEG-ut dy ditë më parë. Sipas njoftimit, nga verifikimet e kryera rezulton se Mohamed Lotf dhe Mohamed Ali nuk janë pajisur nga DPSHTRR me leje drejtimi shqiptare dhe as me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) për profilin "Automakinist", e cila është dokumenti i detyrueshëm për drejtimin e automjeteve për përdorim të veçantë, ku përfshihen edhe autobetonierët.
Institucioni sqaron se dy të huajt nuk kanë paraqitur as dokumentacion për njohjen e aftësive profesionale për drejtimin e një autobetonieri në Shqipëri.
DPSHTRR thekson se, sipas Kodit Rrugor, shtetasit e huaj mund të drejtojnë mjete në territorin shqiptar me leje drejtimi të vlefshme të lëshuara nga autoritetet e vendit të tyre, për një periudhë deri në një vit. Megjithatë, Shqipëria nuk ka marrëveshje reciprociteti me Egjiptin për njohjen apo konvertimin e lejeve të drejtimit. "Në lidhje me lajmet me pajisjen me leje drejtimi dhe dokumentacion profesional të shtetasve egjiptianë Mohamed Lotf dhe Mohamed Ali, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), sqaron:
Pas verifikimeve të kryera në regjistrat elektronikë dhe bazat zyrtare të të dhënave të administruara nga DPSHTRR, rezulton se shtetasit Mohamed Lotf dhe Mohamed Ali nuk janë pajisur nga DPSHTRR me leje drejtimi shqiptare dhe nuk janë pajisur me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) për profilin "AUTOMAKINIST".
DAP "Automakinist" është dëshmia e kërkuar për drejtimin e automjeteve për përdorim të veçantë, ku përfshihen edhe autobetonierët. Sipas legjislacionit në fuqi, autobetonierët klasifikohen si automjete për përdorim të veçantë (APV) dhe drejtuesit e tyre duhet të jenë të pajisur me kategorinë përkatëse të lejes së drejtimit, si edhe me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) të profilit "AUTOMAKINIST".
Ndërkohë në përputhje me dispozitat e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, shtetasit e huaj mund të qarkullojnë dhe të drejtojnë mjete në territorin e Republikës së Shqipërisë me leje drejtimi të vlefshme të lëshuara nga autoritetet kompetente të shtetit të tyre (Neni 133) për periudhën e përcaktuar ligjërisht deri në një vit.
Për rrjedhojë, fakti që një shtetas i huaj drejton një mjet në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk nënkupton automatikisht se ai është pajisur me leje drejtimi shqiptare nga DPSHTRR.
Republika e Shqipërisë nuk ka marrëveshje dypalëshe reciprociteti me Republikën Arabe të Egjiptit për njohjen dhe konvertimin e lejeve të drejtimit, ndërsa Egjipti nuk figuron në listën e shteteve me të cilat Republika e Shqipërisë ka marrëveshje në fuqi për njohjen e ndërsjellë dhe konvertimin e lejeve të drejtimit.
Për rrjedhojë, pretendimet se shtetasit Mohamed Lotf dhe Mohamed Ali janë pajisur nga DPSHTRR me leje drejtimi shqiptare apo me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) Automakinist nuk janë të vërteta.
DPSHTRR rithekson se është një institucion publik që ushtron veprimtarinë e tij mbi bazën e ligjit, transparencës, gjurmueshmërisë dhe barazisë përpara ligjit.
Çdo procedurë për pajisje me leje drejtimi, Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP), Certifikatë Kompetence Profesionale (CKP) apo çdo dokument tjetër të transportit rrugor kryhet vetëm pas plotësimit të kërkesave të përcaktuara nga kuadri ligjor dhe nënligjor në fuqi.
DPSHTRR mbetet në dispozicion të organeve ligjzbatuese dhe autoriteteve kompetente për çdo verifikim apo informacion shtesë që mund të kërkohet në kuadër të hetimeve për ngjarjen në fjalë dhe fton mediat dhe opinionin publik t'u referohen fakteve zyrtare të verifikuara përpara publikimit të pretendimeve që cenojnë pa baza veprimtarinë institucionale", bën me dije DPSHTRR. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

