Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur një ditë më parë në aksin rrugor Lurë–Rrëshen, ku humbi jetën 20-vjeçari Claudio Ndoj, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur.
Ndoj udhëtonte si pasagjer në një automjet tip “BMW”, i cili drejtohej nga bashkëmoshatari i tij, Arli Kacorri. Në makinë ndodhej edhe një 15-vjeçar.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, automjeti ka dalë nga rruga në një kthesë dhe ka përfunduar në greminë. Dyshimet e para janë se shpejtësia mund të ketë bërë që drejtuesi të humbiste kontrollin mbi automjetin, duke shkaktuar aksidentin me pasojë fatale.
Përveç faktorëve njerëzorë, autoritetet po verifikojnë edhe kushtet e infrastrukturës në vendin e ngjarjes. Aksi Lurë–Rrëshen është ende në proces ndërtimi dhe nuk ka përfunduar plotësisht. Në segmentin ku ndodhi aksidenti raportohet se nuk janë vendosur barriera mbrojtëse, një element që tashmë është pjesë e verifikimeve të grupit hetimor.
Dy të plagosurit, Arli Kacorri dhe 15-vjeçari, u dërguan për trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Sipas burimeve nga spitali, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e përmirësuar dhe të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Pas daljes nga reanimacioni, ata janë transferuar në pavijone, ku po vijojnë trajtimin mjekësor.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e aksidentit. Grupi hetimor po punon për të sqaruar shkaqet e përplasjes, si dhe për të përcaktuar nëse mungesa e barrierave dhe kushtet e rrugës kanë pasur ndikim në tragjedinë që i mori jetën 20-vjeçarit.

