Detaje të reja janë zbardhur për aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën Sara Brugnatelli, 26 vjeçe, Kleo Vrioni, 25 vjeç, dhe një 15-vjeçar, ndërsa dy të rinj të tjerë mbetën të plagosur. Sipas mediave italiane, Sara jetonte në Zocco që prej vitit 2005 dhe kohët e fundit qëndronte edhe në banesën e Kleo Vrionit në Ponte San Pietro, në zonën e Bergamos, ku ai punonte si murator. 26-vjeçarja punonte si shitëse në një dyqan me artikuj për kafshë. Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse Sara dhe Kleo ishin martuar pak ditë para aksidentit, pasi mediat shqiptare kanë raportuar se ceremonia mund të jetë zhvilluar më 16 gusht në Shqipëri, por familja e vajzës thotë se nuk ishte në dijeni dhe po përpiqet të verifikojë këtë informacion.
Aksidenti ndodhi pak pas orës 02:00 në një rrugë dytësore në Manzë, në territorin e Durrësit, teksa pesë të rinjtë po ktheheshin nga një lokal ku kishin kaluar mbrëmjen. Sipas një videoje të publikuar nga mediat shqiptare dhe të analizuar nga “Corriere della Sera”, BMW-ja e drejtuar nga Kleo Vrioni shfaqet duke lëvizur me shpejtësi të madhe, duke ngritur pluhur dhe më pas duke humbur kontrollin. Automjeti u përplas me një strukturë betoni dhe përfi i përmbysur. Një analizë paraprake e pamjeve ka vlerësuar se makina mund të ketë lëvizur me rreth 114 kilometra në orë, por kjo shifër mbetet për t’u konfirmuar nga ekspertiza teknike.
Ndërkohë, hetimet për shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit vijojnë. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar dinamikën e përplasjes dhe faktorët që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit. Në Zocco, familjarët dhe të afërmit presin kthimin e trupit të Sara Brugnatellit në Itali, pas përfundimit të procedurave dhe verifikimeve në Shqipëri. Pas mbërritjes së trupit pritet të zhvillohet ceremonia mortore, ndërsa data ende nuk është përcaktuar.

