Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në aksin Rinas–Fushë-Krujë, ku një autoveturë tip “Benz”, e drejtuar nga një qytetar nga Korça, është përplasur kokë më kokë me një automjet tip “Land Rover”. Sipas të dhënave paraprake, “Benz”-i ka kryer një parakalim të gabuar, duke dalë në krahun e kundërt të rrugës.
Si pasojë e përplasjes së fortë janë plagosur rëndë të dy drejtuesit e mjeteve. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Njëri prej drejtuesve dyshohet se ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital, ndërsa drejtuesi tjetër ndodhet në gjendje të rëndë dhe po transportohet gjithashtu drejt Traumës. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

