Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të marte në aksin nacional Delvinë–Sarandë, pranë kthesës për në fshatin Bajkaj. Sipas të dhënave paraprake, në afërsi të një pike karburanti, autobusi i linjës Delvinë–Sarandë, me drejtues Vangjel Zoto, ka goditur 65-vjeçarin Agim Vocka, banor i fshatit Bajkaj, i cili po lëvizte në këmbë. Pas aksidentit, drejtuesi i autobusit është larguar fillimisht nga vendngjarja, ndërsa më vonë është kapur nga shërbimet e Policisë së Delvinës. Nga testi i alkoolit, drejtuesi ka rezultuar me vlerën 0.00 mg/l. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës, të cilat po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit. 65-vjeçari është transportuar fillimisht me ambulancë në Spitalin e Sarandës. Sipas burimeve spitalore, ai ka pësuar traumë të rëndë në kokë dhe gjendja e tij është vlerësuar e rëndë. Për shkak të gjendjes shëndetësore, është vendosur transportimi i tij me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Helikopteri është ulur në pistën e Portit të Sarandës, ku 65-vjeçari është transportuar me ambulancë nga spitali dhe më pas është nisur drejt Tiranës. Njoftimi i policise: Rreth orës 08:00, në fshatin Bajkaj, autobusi me drejtues shtetasin V. Z., 53 vjeç, ka përplasur këmbësorin, shtetasin A. V., 64 vjeç, i cili është në gjendje të rëndë. Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e autobusit, pak minuta pas largimit nga vendi i aksidentit, dhe e kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
