Një aksident i rëndë është regjistruar këtë pasdite në rrugën nacionale Lushnjë-Berat, në afërsi të fshatit Kashtbardhë. Në aksident janë përfshirë tre automjete. Siç raporton korrespondenti i Top Channel, Bledar Korreshi, dy drejtuesit e mjeteve që janë përplasur kokë më kokë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në Spitalin e Lushnjës, ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Një prej drejtuesve të mjeteve, drejtuesja e një automjeti tip Fiat, ka deklaruar se një automjet tip Benz po kryente një parakalim në korsinë në drejtim të Lushnjës.
Sipas dëshmisë së saj, Benz-i e ka prekur automjetin Fiat dhe më pas është përplasur kokë më kokë me një automjet tip Ford, i cili si pasojë e përplasjes ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë së Lushnjës, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Top Channel

