Një aksident i rëndë automobilistik është shënuar rreth orës 01:00 të mëngjesit në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Vloçisht. Mësohet se, nga aksidenti, ka mbetur pa jetë një i ri, ndërsa është plagosur një tjetër person. Nga informacionet paraprake bëhet me dije se mjeti tip “Benz”, ku udhëtonte i vetëm viktima, ka dalë nga një rrugë rurale drejt aksit kryesor, kur është goditur nga mbrapa nga një mjet tip “Audi”. Për shkak të goditjes shumë të fortë, mjeti tip “Benz” ka përfunduar në kanalin anës rrugës, thuajse i përgjysmuar, aty ku ka gjetur vdekjen i riu nga Korça. I plagosur rëndë ka mbetur edhe një pasagjer i mjetit tip “Audi”, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Korçës. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, ku po kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes. Njoftimi i policisë: Korçë/Informacion paraprak Rreth orës 01:00, në aksin rrugor Korçë–Pogradec, në afërsi të fshatit Vloçisht, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin O. P., 26 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. C., 27 vjeç. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi O. P. Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi K. C., si dhe një pasagjer që udhëtonte në këtë automjet. Të dy po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.
