Një 19-vjeçar është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare në afërsi të Qafë Botës, i dyshuar për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Shtetasi Anton Leke, 19 vjeç, banues në Vrinë, Bashkia Konispol, u kap rreth orës 05:00 të mëngjesit të së martës, në tentativë për të kaluar në këmbë, përmes kufirit të gjelbër, 6 shtetas drejt Greqisë. Bëhet fjalë për dy gra, njëra nga Lushnja dhe tjetra nga Fieri, si dhe katër fëmijët e tyre, të cilët nuk dispononin dokumente udhëtimi.
Sipas hetimeve paraprake, këta shtetas ishin transportuar me automjet nga Fieri deri në afërsi të Qafë Botës, ku i priste 19-vjeçari. Ky i fundit u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, përpara se të realizohej kalimi i paligjshëm i kufirit. Dy gratë kanë deklaruar para policisë se janë transportuar deri në kufi nga një drejtues mjeti, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
Nga deklarimet e 19-vjeçarit rezulton se ai do të merrte nga 100 euro për secilin person që do të ndihmonte të kalonte në këmbë kufirin e gjelbër drejt Greqisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet

