Lajme Zone
AI deshifron pas 217 vitesh letrën sekrete të Napoleonit, iu deshën vetëm 6 orë
TeknologjiGazeta Tema

AI deshifron pas 217 vitesh letrën sekrete të Napoleonit, iu deshën vetëm 6 orë

Një mesazh sekret i epokës së Napoleon Bonapartit, i koduar më shumë se dy shekuj më parë, është deshifruar për herë të parë me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Një mesazh sekret i epokës së Napoleon Bonapartit, i koduar më shumë se dy shekuj më parë, është deshifruar për herë të parë me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Sipas Live Science, inxhinieri i inteligjencës artificiale Carter Church përdori modelin GPT-6 Astra për të analizuar një letër të koduar të vitit 1809. Rezultati erdhi pas rreth gjashtë orësh pune, duke zbuluar përmbajtjen e një dokumenti që kishte mbetur i pazbërthyer për 217 vjet.

Letra ishte dërguar te gjenerali francez Auguste de Marmont gjatë përgatitjeve të Napoleonit për luftën kundër Austrisë. Ajo ishte hartuar në selinë e Eugène de Beauharnais, djalit të adoptuar të Napoleonit dhe mëkëmbësit të Italisë, pas udhëzimeve të Napoleonit.

Mesazhi përmbante informacione ushtarake, përfshirë pozicionet e forcave franceze dhe aleate dhe emrat e komandantëve. Për shkak të rrezikut që korrespondenca të kapej nga kundërshtarët, informacioni ishte shkruar në një kod kompleks.

Dokumenti përmbante rreth 1,300 karaktere dhe 155 simbole të ndryshme. Ishte një sistem homofonik, ku e njëjta shkronjë mund të përfaqësohej nga disa simbole të ndryshme, duke e bërë shumë më të vështirë deshifrimin.

Për më tepër, studiuesit kishin në dispozicion vetëm një imazh me cilësi të dobët të dokumentit, të publikuar në një revistë ushtarake franceze në vitin 1969.

Church ia dha imazhin modelit të inteligjencës artificiale, i cili fillimisht rindërtoi tekstin nga dokumenti. Më pas, gjatë analizës, u përdor edhe një tabelë e pjesshme e simboleve e krijuar më herët nga historiani i kriptografisë Daniel Tant.

Nga kjo pikë, AI arriti të lidhte informacionin ekzistues me simbolikën e letrës dhe të rindërtonte pjesën tjetër të kodit.

“ Në fillim nuk e besoja”, tha Church për Live Science, duke përshkruar momentin kur rezultati doli i kuptueshëm dhe mund të verifikohej.

Mesazhi i zbuluar nuk përmban domosdoshmërisht një sekret të madh të panjohur për historianët. Përmbajtja e tij përputhet në pjesë të rëndësishme me informacione që njiheshin nga korrespondenca e tjera të Napoleonit.

Megjithatë, rëndësia e zbulimit qëndron te fakti se një dokument i koduar për më shumë se dy shekuj tashmë mund të lexohet. Studiuesit shpresojnë se metoda mund të përdoret edhe për dokumente të tjera historike që kanë mbetur të padeshifruara.

Rasti është cilësuar si një lloj “Guri i Rozetës” për kërkimet historike, pasi suksesi mund të hapë rrugën për përdorimin e inteligjencës artificiale në deshifrimin e dokumenteve të tjera të vjetra dhe të koduara.

Burimi: Live Science