Qindra shqiptarë të diasporës pritet të mbërrijnë në Tiranë për t’iu bashkuar protestave të mbrëmjes të zhvilluara në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa lëvizja e pagëzuar nga aktivistët si “Revolucioni i Flamingos” hyn në ditën e 77-të të protestave. Lajmi publikohet nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Pressenza, e cila shkruan se koordinatorë të diasporës në dhjetëra qytete europiane kanë organizuar ardhjen e qindra shqiptarëve nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Austria dhe vende të tjera.
Sipas medias, protestat, të cilat nisën fillimisht kundër projekteve të zhvillimit turistik të lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, tashmë janë zgjeruar në një lëvizje më të gjerë politike dhe qytetare, me kërkesën për largimin e qeverisë, shkruan politiko.al. Një prej koordinatoreve të diasporës në Paris, Paola Kolaj, thotë se kundërshtimi nuk lidhet me zhvillimin e vendit në vetvete, por me mënyrën se si realizohen projektet dhe ndikimin e tyre në mjedis dhe trashëgiminë natyrore.
“Ne mbështesim zhvillimin e vendit, por zhvillimi duhet të bëhet në mënyrën e duhur, në interes të qytetarëve dhe jo të një grushti njerëzish”, shprehet Kolaj.Ajo kërkon që zonat e mbrojtura të mbeten të paprekura, shfuqizimin e Ligjit nr. 21/2024, si dhe kundërshton projektet në Zvërnec dhe Sazan, duke i bërë thirrje Jared Kushner dhe Ivanka Trump të tërhiqen prej tyre, shkruan politiko.al. “Përveç kësaj, kërkojmë largimin e kësaj klase politike, së cilës nuk i besojmë më, dhe demokratizimin e vendit”, shton ajo.
Nga projektet e Kushner te protesta kundër qeverisëSipas Pressenza, lëvizja u nxit fillimisht nga projektet e propozuara për resorte luksoze nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, dhe Ivanka Trump në zona të mbrojtura të Shqipërisë.
Në Zvërnec, pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë, u ngrit një gardh me tela me gjemba, duke kufizuar aksesin e banorëve në një prej zonave bregdetare më të rëndësishme të vendit.
Media kujton gjithashtu miratimin në vitin 2024 të Ligjit 21/2024, i cili, sipas saj, i jep Këshillit Kombëtar të Territorit mundësinë për të dhënë leje për resorte turistike luksoze edhe në territore të mbrojtura.
Vetëm tre ditë pas miratimit të këtij ligji, Jared Kushner bëri publike planet për zhvillimin e projekteve turistike në zonën e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit.
Denisa Kasa, menaxhere projekti pranë organizatës Protection and Preservation of Natural Environment in Albania, shprehet se ndryshimet ligjore i kanë bërë zonat e mbrojtura shqiptare të ekspozuara ndaj projekteve të mëdha turistike.
Sipas saj, projekti i propozuar në Zvërnec është veçanërisht shqetësues për shkak të vlerave ekologjike dhe peizazhore të zonës.
Nga mbrojtja e mjedisit te kërkesa për largimin e qeverisëPressenza shkruan se pas 76 ditësh, protesta nuk kufizohet më vetëm te kundërshtimi i projekteve të Kushner dhe Trump.
Kërkesa kryesore e protestuesve tashmë është dorëheqja e qeverisë, ndërsa pas saj kërkohet krijimi i një qeverie teknike njëvjeçare, e cila do të përgatiste vendin për zgjedhje të reja.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e Ligjit 21/2024 dhe ndryshime në legjislacionin për investimet e huaja dhe Kodin Zgjedhor.
Sipas medias, diaspora shqiptare ka organizuar gjatë kësaj vere protesta në disa qytete të Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Më 20 qershor, qindra shqiptarë udhëtuan drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës, në atë që organizatorët e cilësuan si tubimin më të madh që nga nisja e lëvizjes.
Organizatorët pretendojnë se në atë protestë morën pjesë mbi 100 mijë persona.
Një lëvizje përtej ndarjeve politikePressenza e përshkruan lëvizjen si një protestë që ka bashkuar njerëz nga krahë të ndryshëm politikë, të rinj, aktivistë mjedisorë, pensionistë, familje të reja dhe figura publike.
Protestat zhvillohen në mënyrë paqësore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku është ngritur edhe një hapësirë për fëmijët dhe një “podium i qytetarëve”, ku kushdo mund të marrë fjalën për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë.
Pas tubimeve, protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, ndërsa sipas medias, qytetarët i përshëndesin nga ballkonet, shoferët u bien borive dhe edhe turistët në lokalet e kryeqytetit ndalen për të parë protestën.
Lëvizja, sipas Pressenza-s, është e decentralizuar dhe pa një drejtues të vetëm, ndërsa organizatorët identifikohen si koordinatorë të protestave.
Media e përshkruan atë si një revoltë kundër status quo-së politike, korrupsionit dhe oligarkisë, duke shtuar se protestat pritet të vijojnë çdo mbrëmje edhe gjatë vjeshtës, deri në përmbushjen e kërkesës për dorëheqjen e qeverisë./Politiko.al Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

