Një aksident tragjik ajror është regjistruar paraditen e së shtunës në Ganderkesee, pranë Oldenburgut në Gjermani, ku një aeroplan i vogël u rrëzua mbi çatinë e një banese, duke i marrë jetën pilotit.
Sipas autoriteteve gjermane, ngjarja ndodhi pak pas orës 11:00, ndërsa dëshmitarët raportojnë se fillimisht dëgjuan një zhurmë të fortë, përpara se avioni të përplasej me pjesën e sipërme të shtëpisë.
Për fat, banorët nuk ndodheshin në banesë në momentin e aksidentit, duke shmangur një tragjedi edhe më të madhe.
Si pasojë e përplasjes, kabina e pilotit u shkatërrua plotësisht, ndërsa mbetjet e aeroplanit u shpërndanë në zonën përreth. Piloti humbi jetën në vendngjarje.
Ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë kontrollet për të verifikuar nëse në bord ndodhej edhe ndonjë person tjetër përveç pilotit.
Autoritetet kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit të aeroplanit. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje mbi identitetin e viktimës apo mbi arsyet që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit fluturues.

