Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot do të zhvillojë një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Ozkan Ulutash, ku një nga temat kryesore pritet të jetë hapja e plotë e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve.Kurti tha se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për të siguruar që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente. “Sa i përket itinerarit për hapjen e plotë të Urës së Ibrit, përkatësisht marrjen nën kontroll tërësisht nga ana e Policisë së Kosovës ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe sot pasdite kam një takim në kryeministri me gjeneralin e KFOR-it, komandantin Ozkan Ulutash. Pra, jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Brendshme në mënyrë që të shkojë gjithçka në mënyrë të qetë dhe paqësore.Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm në këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve e as të tensioneve tregojnë që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen e ekonominë”, u shpreh Kurti, raporton kp. /Telegrafi/

