Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

A trembet Berisha se PD mund të përfundojë si opozita serbe? Kreu i PD-së: Në Serbi nuk kishte një parti opozitare si ne


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mundësinë e krijimit të një formacioni të ri politik nga studentët protestues, ku të mos bëjnë pjesë as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike. I pyetur nëse Shqipëria mund të shkojë drejt një skenari të ngjashëm me atë serb, Berisha e mohoi një paralele të tillë, duke theksuar se në Serbi nuk ekzistonte një forcë opozitare e krahasueshme me PD-në.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mundësinë e krijimit të një formacioni të ri politik nga studentët protestues, ku të mos bëjnë pjesë as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike. I pyetur nëse Shqipëria mund të shkojë drejt një skenari të ngjashëm me atë serb, Berisha e mohoi një paralele të tillë, duke theksuar se në Serbi nuk ekzistonte një forcë opozitare e krahasueshme me PD-në. Pyetjes së një qytetareje, e cila iu referua diskutimeve për krijimin e një fronti apo partie të re nga studentët, Berisha iu përgjigj duke theksuar se e drejta për të krijuar formacione të reja politike është pjesë e pluralizmit dhe demokracisë. “Unë kurrë nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik. Për mua, pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij”, deklaroi Berisha. Megjithatë, ai u shpreh se situata në Shqipëri nuk ka ngjashmëri me zhvillimet në Serbi. Sipas tij, atje lëvizja studentore u drejtua nga infrastruktura shtetërore universitare, me rektorin e Beogradit dhe dekanët në krye të saj. Berisha përmendi gjithashtu kohëzgjatjen e lëvizjes në Serbi, duke thënë se ajo u zhvillua përgjatë dy viteve, në më shumë se 700 ditë. Një tjetër dallim, sipas tij, ishte fakti se studentët serbë përballeshin me dhjetëra parti të vogla opozitare, të cilat, siç pretendoi ai, nuk kalonin në total 7-8% të mbështetjes. “Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike”, theksoi Berisha, duke iu referuar rolit të PD-së në skenën politike shqiptare.

Në fund, kreu i opozitës u shpreh se studentët kanë të drejtë të ndërmarrin çdo hap politik, por i këshilloi të mos mbështeten te ajo që ai e cilësoi si perceptim jorealist për zhvillimet në vend.

Deklarata e Berishës vjen në një kohë kur në protestat e studentëve është diskutuar edhe mundësia e krijimit të një alternative të re politike, jashtë dy forcave kryesore, PS-së dhe PD-së. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb