Për të dytën ditë, studentët sulmojnë Ministrinë e Arsimit, ndërsa Mirela nuk bëzan. Nga kultura te turizmi e deri tek arsimi, ministrja më jetëgjatë e Edi Ramës përballet me revoltën e atyre që duhet të përfaqësojë... Për të dytën ditë radhazi, studentët sulmojnë Ministrinë e Arsimit. Shkulin kangjellat, thyejnë xhamat, përplasen me policinë. Në gjithë këtë rrëmujë mungon personazhi që duhej të ishte në qendër të saj: ministrja Mirela Kumbaro.
Nuk dihet nëse ministrja po mendon ndonjë projekt të ri, po përgatit ndonjë fjalim apo thjesht pret që studentët të lodhen. Ajo që dimë është se përballë revoltës nuk ka ofruar një përgjigje publike. Një heshtje që, për një ministre Arsimi, përbën ndoshta leksionin më të keq që mund t'u japë studentëve.
Mirela Kumbaro është ministrja më jetëgjatë e Edi Ramës. Ka drejtuar kulturën, turizmin dhe tani arsimin. Një karrierë që të krijon përshtypjen se në qeverinë shqiptare nuk ka rëndësi çfarë di të bësh, mjafton të kesh besimin e të Gjatit. Ndërrohen ministritë, ministrja mbetet. Një lloj poste universale, ku specializimi kryesor duket se është mbijetesa politike.
Tani i ka rënë për pjesë arsimi. Dhe arsimi, ndryshe nga ceremonitë kulturore apo promovimet turistike, ka një zakon të pakëndshëm: studentët bëjnë pyetje. Madje, kur nuk marrin përgjigje, dalin edhe në rrugë.
Dhuna dhe dëmtimi i institucioneve nuk kanë asnjë justifikim. Megjithatë, ka një ironi therëse në faktin që të rinjtë po sulmojnë pikërisht ministrinë që duhet t'i dëgjojë. Në vend të një ministreje që u flet, gjejnë policë që u ruajnë derën. Një marrëdhënie pedagogjike krejt origjinale.
Natyrisht, Mirela Kumbaro nuk e ka shpikur krizën e arsimit shqiptar. Ajo e ka trashëguar. Siç ka trashëguar, me një rregullsi për t'u admiruar, edhe postet ministrore. Vetëm se trashëgimia e problemeve nuk të përjashton nga detyrimi për t'i zgjidhur. Përndryshe, çfarë kuptimi ka të jesh ministre, përveçse të figurosh në organigramën e qeverisë?
Edi Rama mund ta çojë Kumbaron edhe në një ministri tjetër. Përvoja e deritanishme tregon se për të nuk ka shumë rëndësi emri mbi derë. Pyetja është nëse ka rëndësi ajo që ndodh pas saj.
Studentët, ndërkohë, po kërkojnë përgjigje. Ministrja u ka ofruar heshtjen.
Në një vend ku karriera politike matet me aftësinë për të qëndruar në karrige, ndoshta edhe kjo konsiderohet sukses.
Ka një ironi historike edhe më therëse. Në dhjetorin e vitit 1990, kur studentët u ngritën kundër diktaturës komuniste, Ministria e Arsimit nuk u kthye në shënjestër të zemërimit të tyre. Përkundrazi, drejtuesit e saj u përfshinë në komunikimin me studentët, në një kohë kur vetë regjimi po humbiste kontrollin mbi vendin. Tridhjetë e gjashtë vjet më vonë, në një Shqipëri që pretendon se ka ndërtuar demokracinë, studentët shkulin kangjellat e ministrisë që duhet t'i përfaqësojë. Diktatura po jepte shpirt dhe ministria gjente rrugën e dialogut. Sot demokracia ka një ministre që nuk po gjen as derën për të dalë.
A ka turp kjo Mirela?/Pamfletia ka turp kjo mirela gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial I lumi ai që e kupton se kur është mjaft 13 Tetor 2026, 15:3215:32Editorial A po e përgatit Andy Burnham kthimin e Britanisë në shtëpi? 13 Tetor 2026, 12:1312:13Editorial E majta shqiptare, kriza identitetit dhe humbja e arsyes 11 Tetor 2026, 11:2511:25Editorial Dimri i madh... 10 Tetor 2026, 19:0819:08Editorial Kartat e djegura të luanit të savanës fejsbukjane 9 Tetor 2026, 13:4813:48Editorial Trump, ëndrra e madhe dhe Amerika e vogël 9 Tetor 2026, 10:4710:47Editorial

