Foto ilustruese / Nga fitorja historike e AfD-së në Gjermani te tundimi gjithnjë e më i madh për “njeriun e fortë”, demokracitë po përballen me krizën e besimit; një paralajmërim edhe për Shqipërinë, ku dobësia e institucioneve dhe përqendrimi i pushtetit tregojnë se rruga drejt prosperitetit kalon ende nga demokracia liberale. Autokratët po fitojnë terren, partitë tradicionale po humbasin besimin dhe “njeriu i fortë” po rikthehet si ofertë politike edhe në shoqëri që deri dje dukeshin të mbrojtura nga tundimi autoritar. Fitorja e AfD-së në Saksoni-Anhalt është paralajmërimi i fundit për një Perëndim të zemëruar me institucionet e veta, por edhe për vende si Shqipëria, ku demokracia ende nuk ka arritur të çlirohet nga personalizimi i pushtetit, dobësia e institucioneve dhe kultura e liderit që “i zgjidh të gjitha”. Fitorja e AfD-së në Saksoni-Anhalt shkon përtej kufijve të një landi gjerman. Një parti që për vite është mbajtur jashtë pushtetit nga konsensusi politik i Gjermanisë së pasluftës mori gati 44 për qind të votave dhe u afrua me shumicën absolute. Kur katër në dhjetë qytetarë zgjedhin një forcë të tillë, nuk mjafton më shpjegimi se kemi të bëjmë me ekstremistë të zemëruar në periferi të sistemit; duhet pyetur se çfarë po ndodh me vetë besimin te demokracia.
A jemi lodhur nga demokracia?
Njerëzit nuk duken të lodhur nga liria, nga vota apo nga e drejta për të zgjedhur qeverinë. Janë lodhur më shumë nga një demokraci që, në sytë e tyre, flet shumë dhe bën pak, nga parlamente që përplasen ndërsa faturat rriten, nga burokraci që prodhon procedura më shpejt se zgjidhje dhe nga elita politike që shpesh duket se jeton në një realitet tjetër nga ai i qytetarit.
Në këtë pakënaqësi lulëzon tundimi i “njeriut të fortë”, i cili premton rend, shpejtësi dhe vendim, duke i paraqitur parlamentet, gjykatat, mediat apo administratat si pengesa për qeverisjen. Oferta është joshëse pikërisht sepse në fillim tingëllon si efikasitet; problemi kuptohet më vonë, kur qytetari zbulon se institucionet që u dobësuan për t’i hapur rrugë pushtetit individual ishin të njëjtat institucione që e mbronin prej tij.
Autoritarizmi i sotëm nuk ka gjithmonë nevojë për tanke apo grushte shteti. Ai mund të fitojë zgjedhjet, të marrë legjitimitetin e votës dhe pastaj të gërryejë ngadalë kufijtë e pushtetit, duke dobësuar gjykatat në emër të reformës, duke sulmuar median në emër të luftës kundër gënjeshtrës dhe duke politizuar administratën në emër të efikasitetit. Demokracia vazhdon formalisht të ekzistojë, ndërsa përmbajtja e saj zbrazet pak nga pak.
Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se kjo prirje është reale. Freedom House ka regjistruar njëzet vjet radhazi rënie të lirisë në botë, ndërsa V-Dem vlerëson se pjesa më e madhe e popullsisë së planetit jeton në sisteme që klasifikohen si autokraci. Optimizmi i viteve pas rënies së Murit të Berlinit, kur demokracia liberale dukej si stacioni përfundimtar i historisë politike, është zëvendësuar nga një epokë shumë më të pasigurt.
Megjithatë, votuesi që përqafon një politikan me prirje autoritare zakonisht nuk kërkon më pak liri. Ai kërkon një pagë më të madhe, siguri në rrugë, kufij që kontrollohen, shërbime që funksionojnë dhe bindjen se ligji vlen njësoj si për të pasurin dhe të varfrin. Kur demokracia nuk i jep këto, ai nuk humbet medoemos besimin te liria; humbet besimin tek ata që qeverisin në emër të saj.
Pikërisht këtu demokracitë duhet të shohin veten në pasqyrë. Qytetarit që ka humbur sigurinë ekonomike nuk mund t’i thuhet se thjesht nuk kupton globalizimin, sikurse ankthi për emigracionin, kriminalitetin apo rënien e standardit të jetesës nuk mund të shpërfillet vetëm sepse populistët e shfrytëzojnë politikisht. Aq më pak mund të predikohet për epërsinë morale të demokracisë në shoqëri ku korrupsioni, klientelizmi dhe lidhja mes parasë e politikës e kanë bërë qytetarin të dyshojë nëse sistemi punon vërtet për të.
Shqipëria duhet ta lexojë me kujdes këtë zhvillim, sepse tek ne tundimi i njeriut të fortë nuk është i panjohur. Edhe pas më shumë se tri dekadash pluralizëm, partitë mbeten thellësisht të personalizuara, institucionet shpesh perceptohen përmes emrit të atij që i drejton dhe jo përmes rregullave që duhet t’i mbijetojnë çdo qeverie, ndërsa një pjesë e shoqërisë vazhdon ta kërkojë zgjidhjen te lideri që “e merr vetë në dorë”.
Ky është një rrezik veçanërisht i madh për një vend ku institucionet ende nuk kanë fituar besimin e plotë të qytetarëve. Shqipëria nuk vuan nga teprica e demokracisë, por nga demokracia që funksionon përgjysmë: nga drejtësia që ende lufton për besueshmëri, administrata që nuk është çliruar plotësisht nga ndikimi politik, media që përballet me varësi ekonomike dhe një ekonomi ku afërsia me pushtetin mund të vlejë ende më shumë sesa konkurrenca.
Nëse këto probleme përdoren si argument për më shumë përqendrim pushteti, ilaçi mund të bëhet më i rrezikshëm se sëmundja. Një shtet i fortë nuk është ai ku kryeministri mund të bëjë gjithçka, por ai ku ligji funksionon edhe kundër kryeministrit; nuk është ai ku administrata bindet verbërisht, por ai ku administrata i bindet ligjit; nuk është ai ku gjykata nuk e pengon qeverinë, por ai ku qeveria e di se gjykata mund ta ndalojë kur kalon kufirin.
Këtu gjendet edhe lidhja mes demokracisë liberale dhe prosperitetit. Nuk ka një ligj sipas të cilit çdo demokraci bëhet e pasur dhe çdo autokraci përfn e varfër, por zhvillimi i qëndrueshëm kërkon pikërisht ato institucione që kufizojnë pushtetin: pronë të mbrojtur, kontrata të zbatueshme, gjykata të pavarura, konkurrencë të ndershme, media të lirë dhe administratë që nuk ndryshon rregullat sipas interesit të qeverisë së radhës.
Për Shqipërinë kjo nuk është teori. Një ekonomi moderne nuk mund të ndërtohet mbi telefonatën, mikun dhe favorin politik. Sipërmarrësi duhet të dijë se kontrata do të zbatohet edhe kur përballë ka dikë më të fuqishëm; investitori duhet të jetë i sigurt se rregullat nuk ndryshojnë sipas interesit të ditës, ndërsa qytetari duhet të bindet se e drejta e tij nuk varet nga njohjet që ka.
Prandaj edhe integrimi në Bashkimin Evropian ka kuptim shumë më të thellë sesa fondet, tregu i përbashkët apo afatet e negociatave. Në thelb, ai është përpjekja për të ndërtuar një shtet ku pushteti kufizohet nga ligji dhe jo ligji nga pushteti. Shqipëria do të jetë vërtet evropiane jo kur të ketë mbyllur kapitullin e fundit të negociatave, por kur qytetari të mos ketë më nevojë të njohë dikë për të marrë atë që i takon.
Kjo është edhe përgjigjja ndaj krizës së demokracisë. Nuk mjafton t’u thuhet njerëzve se autoritarizmi është i keq; demokracia duhet të provojë se qeveris më mirë, garanton rend pa cenuar lirinë, lufton korrupsionin pa drejtësi selektive dhe krijon mundësi pa ndërtuar oligarki.
Ndoshta jemi lodhur nga demokracia që funksionon keq, nga premtimet pa rezultate dhe nga institucionet që ekzistojnë në letër, por nuk ndihen në jetën e përditshme. Përgjigjja ndaj kësaj lodhjeje, megjithatë, nuk mund të jetë dorëzimi te njeriu i fortë, sepse historia ka treguar se pushteti që jepet lehtë në emër të rendit merret shumë më vështirë mbrapsht.
Demokracia liberale nuk premton shpëtimtarë; ajo premton diçka më të rëndësishme, sidomos për një vend si Shqipëria: një shtet ku askush nuk bëhet aq i fuqishëm sa ligji të fillojë e të mbarojë me të. Pikërisht aty fillon edhe prosperiteti, sepse pa drejtësi të pavarur pasuria kthehet në privilegj, pa konkurrencë ekonomia në klientelizëm dhe pa kufij ndaj pushtetit zhvillimi mbetet gjithmonë peng i atij që qeveris.
Shqipërisë nuk i duhet më pak demokraci, por një demokraci që më në fund funksionon aq mirë sa qytetari të mos ketë më nevojë të kërkojë shpëtim te “njeriu i fortë”./Pamfletia jemi lodhur nga demokracia gjergj zefi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Editorial “Shqipëria i rri e vogël Edit tim” 6 Shtator 2026, 15:5115:51Editorial Sindroma e Stokholmit në Partinë Socialiste 5 Shtator 2026, 13:1813:18Editorial Cirku i së premtes në orën pesë! 4 Shtator 2026, 11:2211:22Editorial Kur Kryeministri nuk ka më asgjë për të thënë 3 Shtator 2026, 13:2913:29Editorial Identikiti i një lideri që rrëzon Edi Ramën 2 Shtator 2026, 11:1911:19Editorial Misteri i vdekjes së Allison Guerrieros dhe Kryeministri ynë 1 Shtator 2026, 11:0911:09Editorial

