Një qytetare ka ngritur shqetësimin për çmimet e larta të medikamenteve në farmacitë në Shqipëri, duke sjellë si shembull blerjen e dy shurupeve kundër virozave për fëmijë.
Sipas saj, të dy produktet, të marra me rekomandimin e mjekut, i kanë kushtuar në total 44 mijë lekë të vjetra. Njëri prej shurupeve ka kushtuar 28 mijë lekë, ndërsa tjetri 16 mijë lekë.
Qytetarja vë në dukje diferencën e çmimeve me vendet e rajonit dhe Europës, duke treguar se i njëjti shurup që në Shqipëri kushton 28 mijë lekë, në Spanjë shitet për 9.5 euro, ndërsa në Bosnjë për rreth 15 euro.
Përmes këtij denoncimi, ajo ngre pikëpyetje mbi diferencat e çmimeve të produkteve farmaceutike dhe kërkon vëmendje për kostot që përballojnë prindërit për medikamentet e fëmijëve.
“A janë normale këto çmime për dy shurupe viroze për fëmijë?”, është shqetësimi që qytetarja ka ndarë.

