Milo Đukanović and Ilija Srdanović / Ilija Srdanoviç dhe lidhjet e pretenduara me rrethin e ish-presidentit malazez kanë ushqyer dyshimet për një dorë të fshehtë pas protestave. Komunikimet e publikuara dhe akuzat e Vuçiçit e mbajnë gjallë këtë tezë, ndërsa Gjukanoviç i mohon kategorikisht të gjitha lidhjet... Lëvizja studentore që prej muajsh ka tronditur Serbinë po hyn në një fazë të re, ku protesta dhe bllokadat universitare po shndërrohen gradualisht në një përplasje të drejtpërdrejtë politike në zgjedhjet e afërta parlamentare.
Në krye të listës “Studentët fitojnë” është vendosur kardiologu i Novi Sadit, Ilija Srdanoviç, dhe pikërisht emri i tij është kthyer në qendër të një beteje tjetër, asaj për të zbuluar nëse pas lëvizjes studentore qëndrojnë edhe struktura politike të vjetra.
Në këtë histori, një emër përsëritet vazhdimisht: Milo Gjukanoviç. Ish-presidenti i Malit të Zi është futur në debatin për protestat serbe përmes pretendimeve se Srdanoviçi ka pasur lidhje me të dhe me rrethin e tij politik.
Dyshimet u forcuan pas publikimit të pjesëve të një komunikimi që i atribuohet Vesna Medenicës, ish-kryetares së Gjykatës Supreme të Malit të Zi. Në këto komunikime përmendet një mjek me mbiemrin Srdanoviç, i cili paraqitet si person që trajtonte Gjukanoviçin dhe si njeri i afërt me të.
Ky fragment u përdor menjëherë për të ngritur tezën se kandidati kryesor i listës studentore nuk është thjesht një mjek i përfshirë në politikë, por një person me lidhje të drejtpërdrejta me ish-presidentin malazez.
Këtu nis edhe logjika e akuzës. Srdanoviçi përmendet si mjek i Gjukanoviçit; Medenica ka qenë një nga figurat më të fuqishme të sistemit gjyqësor malazez gjatë viteve të gjata të pushtetit të tij; ndërsa Srdanoviçi sot ndodhet në krye të një force politike të dalë nga protestat kundër Aleksandar Vuçiç.
Për kundërshtarët e lëvizjes, ky kombinim është i mjaftueshëm për të ngritur
dyshimin se pas organizimit studentor mund të ketë një rrjet politik që shkon përtej universiteteve serbe. Aleksandar Vuçiç e ka përdorur publikisht këtë argument.
Ai ka folur për komunikimet e Medenicës dhe ka deklaruar se ato janë origjinale, duke i lidhur me pyetjen se kush qëndron pas listave politike që kanë dalë nga protestat. Edhe figura të tjera të kampit qeveritar serb kanë ngritur pikëpyetje për lidhjet e Srdanoviçit me qarqe politike në Malin e Zi dhe me njerëz të afërt me ish-partinë e Gjukanoviçit.
Origjina dhe autenticiteti i komunikimeve të publikuara janë bërë objekt debati. Disa media i kanë paraqitur ato si materiale nga platforma Sky Eç, ndërsa të tjera kanë vënë në dukje mospërputhje në datat e komunikimeve dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë siguruar dhe publikuar.
Edhe përmbajtja e komunikimeve ka ngritur pikëpyetje. Në to flitet për një udhëtim të Medenicës në Serbi për t'u trajtuar nga Srdanoviçi. Ndërkohë, raportime të tjera kanë sugjeruar se ajo mund të ketë pasur kontakte ose të ketë kërkuar trajtim nga një tjetër mjek në Beograd.
Kontradikta të tilla nuk e zgjidhin misterin, por e bëjnë edhe më të nevojshëm verifikimin e dokumenteve origjinale dhe të gjithë kontekstit. Megjithatë, historia nuk është kufizuar vetëm te këto mesazhe.
Në mediat serbe janë publikuar pretendime për kontakte të Srdanoviçit me figura të ndryshme politike dhe shoqërore në Malin e Zi, në përpjekje për të ndërtuar një hartë më të gjerë lidhjesh rreth tij. Disa materiale kanë shkuar edhe më tej, duke hedhur dyshime për marrëdhënie me struktura të sigurisë.
Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe duhen trajtuar si akuza politike e mediatike, jo si fakte të vërtetuara. Për kampin e Vuçiçit, megjithatë, çështja ka një peshë të qartë politike.
Nëse protesta studentore do të paraqitej vetëm si revoltë e një brezi të ri kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe mënyrës së qeverisjes, ajo do të kishte një kuptim tjetër.
Duke e lidhur me Gjukanoviçin dhe me qarqe të vjetra politike, pushteti serb përpiqet ta vendosë lëvizjen në një kornizë tjetër.Pra jo më thjesht si një revoltë qytetare, por si një projekt politik me lidhje dhe mbështetje përtej Serbisë.
Kjo është arsyeja pse emri i Gjukanoviçit është bërë pjesë e kësaj përplasjeje. Ish-presidenti malazez ka një histori të gjatë konfliktesh politike me nacionalizmin serb dhe me establishmentin në Beograd.
Për kundërshtarët e tij në Serbi, kjo e bën të besueshme tezën se ai mund të ketë interes të ndikojë në një lëvizje që sfidon Vuçiçin. Por interesi politik, edhe nëse ekziston, nuk është provë se një operacion i tillë është zhvilluar realisht.
Vetë Gjukanoviç i ka mohuar kategorikisht të gjitha këto pretendime. Në një deklaratë për “Pobjeda”, ai tha se nuk e ka takuar kurrë Ilija Srdanoviçin dhe se pretendimet për njohjen e tyre janë “një gënjeshtër e hapur”, e përdorur për qëllime të fushatës zgjedhore në Serbi.
Ai pranoi se ka shumë miq në Serbi, përfshirë mjekë, por tha se Srdanoviçi nuk është një prej tyre. Po ashtu, ai e interpretoi sulmin ndaj Srdanoviçit si pjesë të një klime gjithnjë e më armiqësore ndaj malazezëve në Serbi.
Sipas tij, nacionalistët serbë po krijojnë një atmosferë që të kujton periudha të vjetra të konfliktit mes dy vendeve, por kjo klimë, në vlerësimin e tij, do të jetë jetëshkurtër dhe nuk përfaqëson shumicën e shoqërisë serbe.
Mohimi i Gjukanoviçit është i qartë, por nuk i mbyll vetvetiu të gjitha pikëpyetjet. Nëse komunikimi i Medenicës është autentik dhe personi i përmendur aty është pikërisht Ilija Srdanoviçi, atëherë mbetet për t'u shpjeguar natyra e marrëdhënies. Nëse materiali është manipuluar, nxjerrë jashtë kontekstit ose i atribuohet gabimisht një personi tjetër, atëherë baza kryesore e akuzës dobësohet ndjeshëm. Në fund,
pyetja nuk është thjesht nëse Gjukanoviçi e njeh Srdanoviçin, por nëse ekziston një mekanizëm real përmes të cilit ish-presidenti malazez ka ndikuar në organizimin, financimin ose drejtimin politik të protestave studentore në Serbi.
Deri tani, burimet publike ofrojnë një seri lidhjesh të pretenduara, komunikime të diskutueshme dhe deklarata politike që kanë ushqyer dyshimin. Ato shpjegojnë pse kjo akuzë është ngritur dhe pse është bërë një armë e rëndësishme në përplasjen mes pushtetit të Vuçiçit dhe lëvizjes studentore.
Por kalimi nga pretendimi se “Srdanoviçi mund të ketë pasur lidhje me rrethin e Gjukanoviçit” te përfundimi se “Gjukanoviçi qëndron pas protestave” kërkon prova të tjera. Dhe pikërisht këtu ndodhet pjesa më e errët e kësaj historie: një mjek, një ish-kryetare gjykate, komunikime të diskutueshme dhe një ish-president malazez janë bashkuar në një narrativë që mund të ketë pasoja të mëdha politike.
Nëse pas saj ekziston një rrjet real ndikimi, dokumentet duhet ta tregojnë. Nëse jo, akuza mund të mbetet një tjetër armë në përpjekjen për të delegjitimuar lëvizjen studentore./Pamfleti nga “Vreme”milo gjukanoviç lëvizja studentore në serbi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota BE përgatit mekanizëm të ri emergjence për krizat migratore 29 Shtator 2026, 15:2615:26Rajoni dhe Bota Si Putini, Trump dhe Xi po përpiqen të dobësojnë BE 29 Shtator 2026, 14:3414:34Rajoni dhe Bota Irani u drejtohet amerikanëve, Garda Revolucionare shpërndan një letër të hapur prej 25 faqesh 29 Shtator 2026, 14:1314:13Rajoni dhe Bota Moska hap “rubinetin” për ushtrinë, mbi 200 miliardë dollarë për mbrojtjen 29 Shtator 2026, 13:3513:35Rajoni dhe Bota 100 mijë dollarë për informacion, si mafia shqiptare tentoi të korruptonte agjentët e inteligjencës 29 Shtator 2026, 11:3611:36Rajoni dhe Bota Pas dy dekadash, trupat amerikane përfjnë tërheqjen nga Iraku; largohet edhe ushtari i fundit 29 Shtator 2026, 10:2510:25Rajoni dhe Bota

