Fermerët e Grabjanit po përballen me vështirësi në tregtimin e lulediellit, pavarësisht se këtë vit prodhimi ka qenë i mbarë. Rreth 900 tonë luledielli i përpunuar kanë mbetur stok, duke zënë magazinat dhe ambientet e banesave të fermerëve.
Zona e Grabjanit është ndër më të njohurat për kultivimin e kësaj kulture bujqësore. Për shumë fermerë, luledielli është një aktivitet që trashëgohet prej vitesh, por mungesa e tregut po e bën gjithnjë e më të vështirë vijimin e kësaj tradite.
Një prej tyre është Thanas Veliu, i cili prej 35 vitesh merret me kultivimin e lulediellit. Ai kërkon ndërhyrjen e Ministrisë së Bujqësisë me politika konkrete, që jo vetëm të mundësohet shitja e prodhimit aktual, por të krijohen edhe garanci për fermerët që duan të vijojnë ta mbjellin këtë kulturë.
Fermerët thonë se eksporti mund të jetë një alternativë për të shitur prodhimin, por sipas tyre, zgjidhja afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm te tregjet e huaja. Ata kërkojnë zhvillimin e industrisë vendase të përpunimit të kulturave vajore, duke krijuar një treg më të qëndrueshëm për prodhimin vendas.
Sipas tyre, një industri e konsoliduar përpunuese do të rriste mundësitë e shitjes dhe do t’u jepte fermerëve më shumë siguri për të investuar në këtë sektor. Në të kundërt, mungesa e një tregu të garantuar rrezikon të çojë në uljen e sipërfaqeve të mbjella me luledielli në vitet e ardhshme.
Për fermerët e Grabjanit, problemi nuk është prodhimi, pasi kushtet e zonës favorizojnë kultivimin e lulediellit, por mungesa e tregut. Ata kërkojnë që shteti të ndërhyjë si rregullator për të gjetur zgjidhje konkrete, në mënyrë që prodhimi i këtij viti të mos mbetet stok dhe kultivimi i lulediellit të ketë një të ardhme të qëndrueshme.

