Në nëntor bëhen 7 vite nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019, por Programi i Rindërtimit vijon të ecë me ritme të ulëta, edhe pse fondet janë të disponueshme. Sipas raportit të Ministrisë së Financave, nga rreth 5.863 miliardë lekë të planifikuara dhe të trashëguara për bashkitë në vitin 2026, deri në fund të qershorit janë përdorur vetëm 814.5 milionë lekë, ose rreth 14% e planit. Situata është edhe më kritike për investimet kapitale: nga 2.530 miliardë lekë të parashikuara për objekte dhe infrastrukturë, janë realizuar vetëm 186.6 milionë lekë, ose 7.4%. Ndërkohë, 619.4 milionë lekë, rreth 76% e totalit të shpenzuar, kanë shkuar për transferta për familjet dhe individët.
Bashkia e Durrësit rezulton ndër njësitë më problematike, pavarësisht se ka mbi 1 miliard lekë fonde të programuara për Rindërtimin. Deri në fund të qershorit janë realizuar vetëm 15.1 milionë lekë, ose rreth 1% e planit. Tirana, që ka fondin më të madh prej 1.858 miliardë lekësh, ka shpenzuar vetëm 84.9 milionë lekë, ose 5%. Po në nivele të ulëta janë Kamza me 4%, Kavaja dhe Rrogozhina me 7%, ndërsa Mirdita ka realizuar vetëm 895 mijë lekë nga 92.5 milionë të planifikuara, gjithashtu rreth 1%.
Në krahun tjetër, Kurbin rezulton me realizimin më të lartë, 49%, me 332.5 milionë lekë të shpenzuara, i ndjekur nga Kruja me 27%, Shijaku me 25% dhe Vora me 21%. Ministria e Financave e konsideron nivelin e përgjithshëm të realizimit prej 14% si relativisht të ulët dhe kërkon përshpejtimin e projekteve, certifikimit të punimeve dhe pagesave. Shifrat ngrenë pikëpyetje të forta mbi ritmin e Rindërtimit, veçanërisht në një kohë kur kanë kaluar gati shtatë vite nga tërmeti dhe një pjesë e konsiderueshme e fondeve vijon të mbetet e pashpenzuar.

