Pesëdhjetë vjet pasi iu nënshtrua ndërhyrjes së parë në zemër, pacientja e parë e kardiokirurgjisë në Shqipëri, Xhemile Kasalla, është operuar sërish me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pas 10 ditësh trajtim dhe kujdesi intensiv, ajo ka lënë spitalin në gjendje të mirë shëndetësore, duke shënuar një histori të rrallë suksesi për kardiokirurgjinë shqiptare. Xhemile Kasalla ishte pacientja e parë që iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër në Shqipëri, plot 50 vite më parë. E rikthyer në të njëjtin shërbim ku nisi historia e saj, ajo kujton vendimin që, sipas saj, i shpëtoi jetën. Pesë dekada më vonë, ajo iu nënshtrua një tjetër operacioni në zemër, i realizuar nga shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Prof. Dr. Altin Veshti, së bashku me ekipin e tij. Pas 10 ditësh kujdesi intensiv dhe trajtimi në spital, Xhemile Kasalla është rikthyer pranë familjes së saj në gjendje të mirë shëndetësore, duke shkruar një tjetër kapitull të veçantë në historinë e kardiokirurgjisë shqiptare.
