Një 37-vjeçare shtatzënë nga Pogradeci ka humbur jetën gjatë transportit drejt Tiranës, ku po dërgohej për trajtim të specializuar. Gruaja, me inicialet M. K., ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe ishte paraqitur në spitalin e Pogradecit për shkak të problemeve shëndetësore.
Pas konsultave dhe ekzaminimeve mjekësore, bluzat e bardha vendosën që pacientja të transportohej drejt një spitali të specializuar në kryeqytet. Por gjatë rrugës, në afërsi të Elbasanit, gjendja e saj shëndetësore është rënduar dhe 37-vjeçarja ka ndërruar jetë.
Për përcaktimin e shkakut të vdekjes pritet kryerja e autopsisë mjeko-ligjore. Ndërkohë, rasti është marrë në verifikim nga autoritetet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

