Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku një 35-vjeçar ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij dhe ka plagosur ish-vjehrrën.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 06:00, Refit Buzi, 35 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, i cili humbi jetën në vendngjarje. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe ish-vjehrra, Belere Plaka, rreth 55 vjeçe, e cila u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Hetimet e deritanishme tregojnë se, menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar me automjet së bashku me ish-bashkëshorten e tij, me inicialet R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut që dyshohet se u përdor në krim.
Policia bën të ditur se, sapo është njoftuar për ngjarjen, shërbimet kanë mbërritur në vendin e krimit, kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë nisur një operacion për lokalizimin dhe arrestimin e 35-vjeçarit.
Ndërkohë, grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

