Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka përkujtuar 33-vjetorin e hyrjes në fuqi të Traktatit të Maastricht-it, duke theksuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha e cilëson këtë traktat si një moment vendimtar në krijimin e Bashkimit Europian në formën që njihet sot. Ministri thekson se vendi synon të jetë pjesë e tryezës europiane, duke kontribuar në vendimmarrje dhe në formësimin e së ardhmes së kontinentit. “33 vjet më parë, në këtë ditë, hyri në fuqi Traktati i Maastricht-it, duke shënuar një hap vendimtar në krijimin e Bashkimit Europian, ashtu siç e njohim sot. Për Shqipërinë, ky përvjetor na drejton nga e ardhmja: drejt vendit që synojmë në tryezën europiane, duke ndarë përgjegjësitë, duke sjellë zërin dhe kontributin tonë dhe duke formësuar së bashku të ardhmen e kontinentit tonë. Identiteti ynë Europian ka rrënjë të thella. Sot, përmes reformave në vend dhe partneriteteve gjithnjë e më të forta në Europë, po e shndërrojmë hap pas hapi ambicien tonë europiane në realitet. Rruga jonë është e qartë. E ardhmja jonë është vetëm europiane”, shkruan ministri Hoxha në X.
