Një 32-vjeçar, i cili ishte arrestuar vetëm dy ditë më parë në Vlorë për një rast vjedhjeje, ka ndërruar jetë këtë të hënë, pasi është gjetur në gjendje të rënduar shëndetësore në ambientet e dhomave të shoqërimit të Komisariatit të Policisë Vlorë.
Bëhet fjalë për Enea Shparthin, banues në Vlorë, i cili rreth orës 09:50 është konstatuar pa gjendje të mirë shëndetësore nga punonjësit e policisë.
Menjëherë është njoftuar shërbimi mjekësor dhe 32-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, rreth orës 10:05 është konfirmuar se ai kishte humbur jetën.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë një arrest kardiak. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes pritet të përcaktohen gjatë hetimeve.
Shparthi ishte arrestuar në flagrancë më 29 gusht 2026, rreth orës 23:00, për veprën penale “Vjedhja”.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për të zbardhur në mënyrë të plotë rrethanat e vdekjes së 32-vjeçarit dhe për të dokumentuar ligjërisht ngjarjen.
