Lajme Zone
25 vite nga Marrëveshja e Ohrit! Hoxha: I dha Maqedonisë së Veriut mundësinë për një të ardhme evropiane
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

25 vite nga Marrëveshja e Ohrit! Hoxha: I dha Maqedonisë së Veriut mundësinë për një të ardhme evropiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar këtë të mërkurë, në prag të 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke e cilësuar atë si një nga arritjet më të rëndësishme politike dhe diplomatike në historinë moderne të Ballkanit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar këtë të mërkurë, në prag të 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke e cilësuar atë si një nga arritjet më të rëndësishme politike dhe diplomatike në historinë moderne të Ballkanit. Në një reagim të gjatë, Hoxha thekson se marrëveshja e nënshkruar më 13 gusht 2001 përcaktoi rrjedhën e zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut dhe krijoi bazat për një shtet më demokratik, gjithëpërfshirës dhe multietnik. Sipas ministrit shqiptar, Ohri dëshmoi se konfliktet ndëretnike në Ballkan nuk zgjidhen përmes forcës, por përmes dialogut, kompromisit politik, respektimit të të drejtave dhe ndërtimit të institucioneve që garantojnë barazi për të gjithë qytetarët. “Jo ndarjen, por bashkëjetesën; jo fitoren e njërës palë mbi tjetrën, por kompromisin; jo përjashtimin, por ndryshimin e mënyrës se si ndërtohet dhe funksionon shteti për të gjithë”, shkruan Hoxha, duke përshkruar frymën e marrëveshjes. Ministri nënvizon se Shqipëria e konsideron stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë së Veriut si pjesë të drejtpërdrejtë të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Ai veçon respektimin e të drejtave të komuniteteve, barazinë, përdorimin e gjuhës, përfaqësimin e drejtë dhe mundësinë që çdo qytetar të ndihet pjesë e shtetit si elementë thelbësorë jo vetëm për demokracinë, por edhe për paqen dhe sigurinë në rajon. Një pjesë e veçantë e reagimit të ministrit i kushtohet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Hoxha shprehet se Marrëveshja e Ohrit njohu shqiptarët si “pjesë thelbësore të shoqërisë dhe pjesë shtetformuese” të vendit. “Të drejtat e tyre nuk janë një koncesion i dhënë nga shumica dhe as një privilegj që mund të rishikohet sipas klimës politike të momentit”, thekson ai. Sipas Hoxhës, një shtet që garanton identitetin, gjuhën, kulturën dhe të drejtat e komuniteteve është më i fortë, ndërsa komunitetet që ndihen të barabarta dhe të përfaqësuara kanë më shumë arsye ta shohin shtetin si të tyrin dhe të investojnë në të ardhmen e tij. Ministri argumenton se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të trajtohet thjesht si një dokument historik, por si një “kontratë politike” që kërkon zbatim dhe vëmendje të vazhdueshme. Në këtë kuadër, Hoxha i referohet edhe debateve të fundit mbi përdorimin e gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se të drejtat e fituara në vitin 2001 kërkojnë “vëmendje dhe kujdes institucional të vazhdueshëm”. Sipas tij, Maqedonia e Veriut e vitit 2026 është një vend ndryshe nga ai i vitit 2001 dhe edhe Marrëveshja e Ohrit duhet të lexohet në funksion të së ardhmes. Në reagimin e tij, ministri përsërit qëndrimin e Shqipërisë se do të vijojë të mbështesë të drejtat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, por njëkohësisht edhe sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionimin demokratik të shteteve ku ata jetojnë. “Këto dy qëndrime nuk bien në kundërshtim. Përkundrazi, janë pjesë e të njëjtit parim: të drejtat e komuniteteve dhe forca e shtetit nuk janë kundërshtare. Njëra e forcon tjetrën”, shprehet Hoxha. Ai e lidh frymën e Ohrit edhe me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën evropiane të vendit. Në përfundim, Hoxha thekson se 25 vite pas marrëveshjes, sfida nuk është vetëm të kujtohet fundi i konfliktit, por të ruhet dhe konsolidohet paqja. “Ohri e hapi këtë rrugë njëzet e pesë vjet më parë. Detyra e brezit të sotëm është ta çojë më tej”, përfn ministri. Postimi i plotë: Ka momente në histori kur e ardhmja e një vendi përcaktohet nga një dokument i vetëm. Marrëveshje të tilla janë të rralla, por ndikimi i tyre ndihet për breza me radhë. Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një prej tyre. Më 13 gusht 2001, njëzet e pesë vjet më parë, udhëheqësit politikë të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, nënshkruan një marrëveshje, nga çdo pikëpamje historike, e cila do të përcaktonte rrjedhën e shtetit për dekadat që do të pasonin. Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet një nga arritjet më të rëndësishme politike dhe diplomatike në historinë moderne të rajonit. Ajo dëshmoi se konfliktet ndëretnike në Ballkan nuk do të gjenin zgjidhje përmes forcës, por përmes dialogut, kompromisit politik, respektimit të të drejtave dhe ndërtimit të institucioneve që u japin të gjithë qytetarëve një vend të barabartë në shtet. Në një kohë kur rajoni ende kishte të hapura plagët e luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë, Ohri solli një model tjetër: jo ndarjen, por bashkëjetesën; jo fitoren e njërës palë mbi tjetrën, por kompromisin; jo përjashtimin, por ndryshimin e mënyrës se si ndërtohet dhe funksionon shteti për të gjithë. Marrëveshja e Ohrit ishte dhe mbetet një zgjedhje strategjike për paqen, për bashkëjetesën dhe për ndërtimin e një shteti multietnik, në të cilin dallimet nuk do të ishin më burim konflikti, por pjesë e një rendi të përbashkët politik dhe shoqëror. Ishte vendimi që i dha Maqedonisë së Veriut mundësinë të mos mbetej peng i konfliktit të saj, por të ndërtonte një shtet më demokratik, më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm, me një perspektivë të qartë evropiane. Njëzet e pesë vjet më vonë, kjo mbetet trashëgimia më e rëndësishme e Ohrit dhe përgjegjësia më e madhe e brezit të sotëm: ta ruajë atë që u arrit, ta çojë më tej frymën e saj dhe ta bëjë të pakthyeshme paqen, bashkëjetesën dhe orientimin evropian të vendit. Shqipëria nuk e ka parë kurrë stabilitetin dhe mirëqenien e Maqedonisë së Veriut thjesht si një çështje të një vendi tjetër. Për ne, ai ka qenë dhe mbetet pjesë e drejtpërdrejtë e stabilitetit dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor. Marrëdhëniet e mira ndërmjet komuniteteve, barazia, respekti për identitetin dhe gjuhën, përfaqësimi i drejtë dhe mundësia që çdo qytetar të ndihet plotësisht pjesë e shtetit nuk janë vetëm çështje parimesh dhe të drejtash, sado themelore të jenë ato. Janë njëkohësisht çështje të paqes, të sigurisë, të stabilitetit dhe të së ardhmes evropiane të rajonit. Ishte pikërisht kjo që u kuptua dhe u materializua në Ohër, një çerek shekulli më parë.Ky është edhe mësimi më i rëndësishëm që Ohri i jep sot rajonit. Paqja nuk konsolidohet vetëm duke i dhënë fund konfliktit; ajo bëhet e qëndrueshme kur mishërohet në institucione, në të drejta, në mundësi të barabarta dhe në besim të ndërsjellë. Një marrëveshje paqeje e përmbush misionin e saj jo vetëm kur heshtin armët, por kur brezat që vijnë nuk kanë më arsye t’u kthehen atyre. Përmes garantimit të të drejtave për komunitetet, përfaqësimit më të drejtë në administratë dhe njohjes së karakterit multietnik të shoqërisë, marrëveshja krijoi një ekuilibër të ri politik dhe social.Pikërisht për këtë arsye, Marrëveshja e Ohrit nuk duhet parë si një dokument i ngrirë në kohë. Ajo duhet kuptuar si një kontratë politike që kërkon kujdes e vëmendje të vazhdueshme sepse është dhe mbetet përcaktuese për të ardhmen e shtetit, si angazhim i përbashkët për një Maqedoni të Veriut demokratike, multietnike, gjithëpërfshirëse dhe evropiane. Ruajtja e frymës së Ohrit nuk do të thotë të jetosh me kujtesën e konfliktit, por të sigurohesh që shkaqet që e ushqyen atë konflikt të mos kthehen më kurrë në burim përçarjeje. Në këtë kuptim, anëtarësimi në NATO, bashkëpunimi i njëmendtë rajonal dhe marrëdhëniet e miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë si dhe rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut janë sa materializim, aq edhe vazhdim i natyrshëm i frymës së Ohrit. Evropa nuk kërkon që dallimet të zhduken; ajo kërkon që ato të jetojnë së bashku brenda institucioneve të forta, shtetit të së drejtës dhe një demokracie që garanton barazi dhe dinjitet për të gjithë. Në planin e marrëdhënieve ndër etnike, Marrëveshja e Ohrit afirmoi një realitet të patjetërsueshëm, të njohur që në vitin 2001: se shqiptarët janë pjesë thelbësore e shoqërisë dhe pjesë shtetformuese e Maqedonisë së Veriut. Të drejtat e tyre nuk janë një koncesion i dhënë nga shumica dhe as një privilegj që mund të rishikohet sipas klimës politike të momentit. Ato janë pjesë e kontratës politike dhe pjesë e themeleve mbi të cilën qëndron shteti demokratik dhe multietnik.Përvojat më të mira evropiane por edhe shembujt më pozitive në rajonin tonë kanë treguar bindshëm se një shtet që respekton dhe garanton, në ligj dhe në praktikë, në germë dhe në frymë, identitetin, gjuhën, kulturën dhe të drejtat e komuniteteve të tij është më i fortë. Po ashtu, një komunitet që e sheh veten të barabartë dhe të përfaqësuar ka më shumë arsye ta shohë shtetin si të vetin, ta forcojë atë dhe të investojë në të ardhmen e tij. Në këtë kuptim, Ohri nuk u dha shqiptarëve vetëm të drejta. Ai ndryshoi vetë mënyrën se si duhet kuptuar shteti, jo si një ekuilibër i përkohshëm ndërmjet komuniteteve, por një model shtetëror ku barazia dhe forca e shtetit ecin bashkë; ku diversiteti nuk shihet si kërcënim, por si pjesë e identitetit të përbashkët; dhe ku përkatësia etnike nuk përcakton shkallën e qytetarisë. Në këtë përvjetor, një mësim mbetet veçanërisht aktual. Marrëveshja e Ohrit na kujton se paqja nuk është një e dhënë e përhershme. Ajo duhet të ruhet e të ushqehet përmes institucioneve demokratike, respektit për diversitetin dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen. Për Shqipërinë, stabiliteti, siguria dhe begatia e Maqedonisë së Veriut janë pjesë e pandashme e zhvillimit dhe qëndrueshmërisë së të gjithë rajonit tonë. Dy vendet tona ndajnë jo vetëm kufij, interesa strategjike dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe bindjen se marrëdhëniet ndëretnike të bazuara në respekt dhe barazi janë themeli mbi të cilin ndërtohen shoqëritë moderne evropiane. Shqipëria ndan bindjen e palëkundur se paqja e qëndrueshme në Ballkan ndërtohet duke afruar njerëzit, duke forcuar institucionet demokratike, marrëdhëniet dy e shumëpalëshe, duke respektuar të drejtat e njeriut, dhe duke i dhënë gjithë shoqërisë, pa asnjë dallim, arsye për ta parë të ardhmen brenda të njëjtit projekt.Ohri e hapi këtë rrugë njëzet e pesë vjet më parë. Detyra e brezit të sotëm është ta çojë më tej. Ky përvjetor është edhe moment për të analizuar shkallën dhe cilësinë e zbatimit dhe çfarë mbetet ende për t’u bërë. Zbatimi i plotë i frymës së Ohrit mbetet punë në vazhdim: debatet e këtij viti rreth përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë kujtojnë se të drejtat e fituara në 2001 kërkojnë vëmendje dhe kujdes institucional të vazhdueshëm, jo vetëm përkujtim solemn. Maqedonia e Veriut e sotme nuk është ajo e vitit 2001. Shoqëria ka ndryshuar. Rajoni ka ndryshuar. Evropa ka ndryshuar. Edhe vetë kuptimi i sigurisë, i sovranitetit dhe i bashkëpunimit ka ndryshuar.Prandaj, edhe Ohri duhet të lexohet në dritën e kësaj të ardhmeje. Të ruash Ohrin do të thotë të vazhdosh të ndërtosh një shtet ku kthimi te logjika e përplasjes dhe e dasive bëhet e pamundur. Kjo kërkon përgjegjësi nga të gjithë, si nga grupet shoqërore ashtu edhe nga elitat politike. Ashtu siç kërkohet nga të gjitha vendet tona në rajon, duhet të kuptojmë se stabiliteti i njërit nuk ndërtohet mbi pasigurinë e tjetrit. Për Shqipërinë, marrëdhënia me Maqedoninë e Veriut është bartëse e një rëndësie të veçantë. Jemi fqinjë, vende mike, aleatë në NATO, partnerë në procesin e integrimit evropian dhe pjesë e së njëjtës hapësirë ballkanike që e njeh çmimin e lartë për konfliktet e së kaluarës por edhe vlerën e investimit të njëmendtë tek e ardhmja e përbashkët.Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë të drejtat e shqiptarëve kudo ku jetojnë, ashtu siç do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionimin demokratik të shteteve ku ata jetojnë.Këto dy qëndrime nuk bien në kundërshtim. Përkundrazi, janë pjesë e të njëjtit parim: të drejtat e komuniteteve dhe forca e shtetit nuk janë kundërshtare. Njëra e forcon tjetrën. Ky është një mësim i rëndësishëm i Ohrit. Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit, Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet themel sepse i dha përgjigje një pyetjeje themelore: a mund të ndërtohet në Ballkanin Përendimor një shtet i përbashkët duke respektuar identitetet e ndryshme dhe duke i bërë ato pjesë të forcës së tij? Përgjigjja e historisë së 25 viteve të fundit është, padyshim, po. Dhe kjo përgjigje duhet të provohet çdo ditë, përmes besimit dhe investimit të sinqertë që e shtyn vendin drejt së ardhmes. Një çerek shekulli më vonë, ndoshta mënyra më e mirë për të lartësuar vendimin e 13 gushtit 2001 dhe për të kremtuar arritjet e saj është të mos e shohim Ohrin si marrëveshjen që i dha fund konfliktit dhe ndarjes, por si marrëveshjen që na mësoi të gjithëve si të ndërtojmë paqen e qëndrueshme.