Një periudhë përcaktuese e politikës së jashtme amerikane ka përfunduar, por kuptimi dhe trashëgimia e saj vazhdojnë të debatohen… Lufta kundër terrorit ka përfunduar. Ajo zgjati nga sulmet e 11 shtatorit 2001 deri te tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani në gusht 2021. Ndërsa afrohet 25-vjetori i 11 shtatorit, përcaktimi i kufijve të këtij konflikti ka rëndësi si për historinë, ashtu edhe për politikën e jashtme.
Tri karakteristika kryesore e përcaktuan Luftën kundër Terrorit si periudhë historike.
Së pari, politikëbërësit amerikanë e trajtuan terrorizmin si një formë lufte dhe si kërcënim strategjik të nivelit të lartë.
Së dyti, strategjia kundër terrorizmit synoi jo vetëm mbrojtjen e territorit amerikan, por edhe ndryshimin e sistemit ndërkombëtar për të goditur shkaqet e terrorizmit.
Së treti, Lufta kundër Terrorit ishte në thelb një përpjekje për t'iu përgjigjur ngritjes së xhihadizmit global.
Këto tri karakteristika tashmë janë zbehur ose janë lënë në hije nga prioritete të tjera. Ka përfunduar periudha kur terrorizmi shërbente si pikë kryesore orientimi për strategjinë amerikane. Pranimi i këtij realiteti jo vetëm i ndihmon politikëbërësit të kuptojnë më mirë pozicionin e tyre në botë, por u jep mundësinë të braktisin disa zakone që ndikuan negativisht në politikën e jashtme amerikane gjatë kësaj periudhe. Mes tyre ishte prirja për t'u bërë shumë lëshime vendeve që bashkëpunonin në luftën kundër terrorizmit dhe për t'i shndërruar armiqtë terroristë të vendeve të tjera në armiq të Shteteve të Bashkuara.
Në nivelin më themelor, Lufta kundër Terrorit ishte përgjigjja ndaj 11 shtatorit, sulme që e vendosën terrorizmin në krye të hierarkisë strategjike amerikane. Por në një nivel më të thellë, ajo ishte edhe përgjigje ndaj dobësive të krijuara nga një botë gjithnjë e më e globalizuar. Sulmet e 11 shtatorit përfaqësuan kulmin e terrorizmit modern ndërkombëtar: një strategji asimetrike, në të cilën grupe të vogla shfrytëzojnë ndryshimet në media, transport dhe armatim për të fituar ndikim dhe vëmendje.
Sulmet nxitën një ndryshim të paradigmës dypartiake në Uashington: terrorizmi filloi të shihej si luftë dhe jo kryesisht si krim. Ky debat kishte vazhduar prej dekadash, por 11 shtatori tregoi se terrorizmi mund të trondiste shoqëritë moderne dhe të shkaktonte humbje njerëzore në shkallë të gjerë. SHBA-ja kaloi drejt një qasjeje ushtarake ofensive, e cila synonte jo vetëm ndjekjen e grupeve terroriste në mbarë botën, por edhe rrëzimin ose ndëshkimin e regjimeve që i mbështesnin ato.
Karakteristika tjetër themelore ishte bindja se terrorizmi duhej luftuar në nivel sistemik përmes reformave politike. Në atë kohë, presidenti George W. Bush dhe administrata e tij arritën në përfundimin se status quo-ja e ngurtë dhe autoritare në Lindjen e Mesme ushqente radikalizmin dhe duhej ndryshuar. Kjo pikëpamje u bë baza e të ashtuquajturës “Axhenda e Lirisë”: ideja se demokratizimi dhe modernizimi i Lindjes së Mesme do të trajtonin shkaqet themelore të terrorizmit. Në planin strukturor, Lufta kundër Terrorit lidhej gjithashtu me përpjekjet në rritje të islamistëve radikalë për të dobësuar rendin e mbështetur nga SHBA-ja në Lindjen e Mesme dhe për ta detyruar Uashingtonin të largohej nga rajoni. Megjithëse kjo nuk ishte një “përplasje qytetërimesh”, Shtetet e Bashkuara i zhvilluan operacionet e tyre ushtarake pothuajse ekskluzivisht kundër islamistëve radikalë. Në këtë kuptim, terrorizmi në vetvete nuk ishte armiku; për politikëbërësit amerikanë, kundërshtarët ishin grupet islamiste radikale dhe regjimet që i mbështesnin.
Kështu, tri elemente përcaktuan Luftën kundër Terrorit: paradigma e luftës, lidhja ndërmjet reformave politike dhe kundërterrorizmit, si dhe përballja me xhihadizmin global.
Megjithatë, konflikti nuk ishte homogjen. Ai kaloi në tri faza, të përcaktuara nga ndryshimet në objektiva, politikën e brendshme amerikane dhe perceptimin për seriozitetin e kërcënimit. Për këtë arsye, fazat mbivendosen pjesërisht me mandatet e presidentëve të ndryshëm.
Faza radikale: 2001–2006
Faza e parë, të cilën autori e quan “faza radikale”, zgjati afërsisht nga viti 2001 deri më 2006. Administrata e George W. Bush nisi një projekt ambicioz që përfshinte luftëra për ndryshimin e regjimeve dhe operacione intensive për rindërtimin e shteteve.
Administrata pretendoi gjithashtu të drejtën e njëanshme për të goditur shtete që dyshohej se zhvillonin armë të shkatërrimit në masë dhe mbështesnin terroristët, edhe kur nuk mund të provohej se një sulm ishte i afërt.
Shtëpia e Bardhë arriti në përfundimin se rendi botëror dhe politika e Lindjes së Mesme duhej të transformoheshin për të trajtuar burimet e terrorizmit. Sipas kësaj qasjeje, terrorizmi ushqehej nga dëshpërimi dhe zemërimi që krijonin mungesa e demokracisë dhe problemet e modernizimit në rajon. Ky argument u bë një nga justifikimet kryesore për Luftën e Irakut dhe për shtimin e presionit ndaj aleatëve arabë që të hapnin sistemet e tyre politike.
Kjo fazë ishte radikale si në mjetet, ashtu edhe në objektivat e saj, por humbi shpejt vrullin. Rënia e Irakut në luftë civile e përkeqësoi problemin xhihadist. Në Afganistan, siguria u dobësua dhe shpresat për ndërtimin e demokracisë u zbehën ndërsa talebanët u rikthyen në mesin e viteve 2000. Në të njëjtën kohë, përpjekjet për t'i bërë presion presidentit egjiptian Hosni Mubarak që të ndërmerrte reforma humbën intensitetin, ndërsa fitorja e Hamasit në zgjedhjet e Gazës më 2006 e uli entuziazmin e zyrtarëve amerikanë për promovimin e demokracisë. Konsolidimi: 2007–2018
Dështimi i vizionit radikal çoi në fazën e dytë: konsolidimin, që zgjati afërsisht nga viti 2007 deri më 2018.
Kjo periudhë u karakterizua nga përpjekjet për të ulur pritshmëritë strategjike, për ta vendosur kundërterrorizmin mbi baza më të qëndrueshme dhe për ta zhvendosur gradualisht pas prioriteteve të tjera.
Procesi nisi që gjatë administratës Bush, me zbutjen e retorikës për demokracinë dhe reduktimin e ambicieve. Shtimi i trupave amerikane në Irak më 2007, për shembull, nuk synonte demokratizimin, por parandalimin e zhytjes së vendit në luftë civile.
Barack Obama vazhdoi konsolidimin, ndonëse politikat e tij kundër terrorizmit kishin objektiva dhe shtrirje më të kufizuara. Ai e kishte kundërshtuar Luftën e Irakut dhe nuk e vendosi hegjemoninë globale apo demokratizimin në qendër të politikës së tij.
Megjithatë, terrorizmi mbeti prioritet i lartë. Obama intensifikoi përpjekjet për ndërtimin e shtetit në Afganistan si pjesë e strategjisë kundër terrorizmit. Në fund të vitit 2009, ai dërgoi 30 mijë trupa shtesë për një fushatë kundër kryengritjes dhe për zgjerimin e autoritetit të qeverisë qendrore në zonat rurale. Në të njëjtën kohë, vendosi një afat prej 18 muajsh për fillimin e tërheqjes së forcave shtesë.
Në fillim të viteve 2010, Obama zhvilloi një qasje që synonte ta bënte kundërterrorizmin më të qëndrueshëm dhe t'i lejonte SHBA-së të përqendrohej edhe te çështje të tjera. Strategjia e tij e “gjurmës së lehtë” kufizoi dislokimet e mëdha të trupave dhe u mbështet më shumë te forcat speciale, dronët dhe shërbimet e inteligjencës për të vrarë ose kapur drejtues terroristë dhe për të dëmtuar kapacitetet e rrjeteve të tyre.
Obama e përkufizoi këtë si kalim nga një luftë globale pa kufij kundër terrorit drejt operacioneve të përqendruara kundër rrjeteve specifike të ekstremistëve të dhunshëm.
Por ngritja e Shtetit Islamik në vitin 2014 e ndërpreu këtë përpjekje. Organizata pushtoi territore të mëdha në Irak dhe Siri dhe krijoi ose frymëzoi celula që kryen sulme në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Obama u përgjigj me një strategji që mbështetej te forcat partnere, duke u ofruar atyre armë, inteligjencë, trajnim, operacione speciale dhe mbështetje ajrore. Ai gjithashtu u detyrua të rriste përsëri angazhimin në Afganistan pas ofensivave të talebanëve gjatë viteve 2015 dhe 2016.Megjithëse numri i trupave amerikane të angazhuara në kundërterrorizëm ra ndjeshëm gjatë presidencës së tij, Obama në thelb e konsolidoi terrorizmin si një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme amerikane. Nga Trump te faza e tërheqjes
Dy vitet e para të mandatit të parë të Donald Trump vazhduan procesin e konsolidimit, ndërsa administrata u distancua edhe më shumë nga reformat politike dhe ndërtimi i shteteve.
Trump kritikoi ashpër “Axhendën e Lirisë” dhe luftërat kundër kryengritjeve, duke i konsideruar humbje jetësh dhe burimesh. Në vend të tyre, ai premtoi një fushatë më pak të kufizuar juridikisht kundër terrorizmit. Si president, ai shtoi përdorimin e dronëve, lehtësoi kufizimet për përzgjedhjen e objektivave dhe bashkëpunoi me aleatë autoritarë në luftën kundër terrorizmit.
Megjithatë, këto prirje u moderuan nga gatishmëria e Trump për t'ua lënë shumë hollësi të politikës këshilltarëve të tij më tradicionalë. Pjesa më e madhe e aparatit të kundërterrorizmit të krijuar gjatë administratave Bush dhe Obama vazhdoi të funksiononte, veçanërisht në luftën kundër Shtetit Islamik, ku Trump në thelb vijoi strategjinë e paraardhësit të tij.
Por Trump hodhi gjithashtu bazat e fazës së tretë dhe të fundit: tërheqjes nga Lufta kundër Terrorit.
Dy zhvillime kryesore e nxitën këtë ndryshim. I pari ishte humbja e territorit të kontrolluar nga Shteti Islamik gjatë viteve 2017–2018. Kjo i mundësoi Trump të shpallte fitoren dhe të fillonte reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Irak dhe Siri.
Zhvillimi i dytë ishte ngërçi në Afganistan. Trump e konsideronte konfliktin të pakuptimtë dhe nisi negociatat me talebanët, të cilat çuan në Marrëveshjen e Dohas të vitit 2020. Sipas marrëveshjes, SHBA-ja deklaroi se do t'i tërhiqte të gjitha trupat brenda 14 muajve nëse talebanët respektonin një armëpushim, zhvillonin bisedime me qeverinë afgane dhe garantonin se nuk do të mbështesnin organizata terroriste si Al-Kaeda.
Marrëveshja përbënte një hap vendimtar drejt përfundimit të Luftës kundër Terrorit, sepse Shtetet e Bashkuara po dilnin nga fushata që kishte qëndruar në origjinën e këtij konflikti.
Presidenti Joe Biden vazhdoi më pas politikën e Trump dhe në prill 2021 nisi tërheqjen e plotë të trupave nga Afganistani. Kur qeveria afgane filloi të shpërbëhej, Biden vendosi të mos ridërgonte forcat amerikane në vend, çka u mundësoi talebanëve të rimerrnin kontrollin.
Gushti 2021 dhe fundi i një epoke
Gushti i vitit 2021 shënoi jo vetëm përfundimin e luftës në Afganistan, por, sipas argumentit të autorit, edhe fundin e Luftës kundër Terrorit.
Si Biden, ashtu edhe Trump gjatë mandatit të tij të dytë, e vendosën terrorizmin më poshtë në hierarkinë strategjike dhe shmangën dislokime të mëdha tokësore për operacione kundër terrorizmit.
Prioritetet amerikane u zhvendosën drejt konkurrencës ndërmjet fuqive të mëdha, përhapjes së armëve bërthamore, luftërave rajonale, politikës industriale dhe çështjeve të tjera.
Terrorizmi nuk përbën më paradigmën qendrore të politikës së jashtme amerikane siç ndodhte gjatë Luftës kundër Terrorit. Edhe ideja se terrorizmi mund të mposhtet përmes reformimit politik të vendeve të tjera praktikisht ka humbur mbështetjen në të dyja partitë amerikane.
Pavarësisht dallimeve mes tyre, Biden dhe Trump përfunduan fazën e tërheqjes dhe, sipas autorit, i dhanë fund efektivisht këtij konflikti.
Kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kryejnë më operacione kundër terrorizmit. SHBA-ja vazhdon veprimtarinë kundër Al-Kaedës dhe Shtetit Islamik-Khorasan, si dhe misionet për mbështetjen dhe trajnimin e partnerëve.
Por termi “Lufta kundër Terrorit” do ta humbiste vlerën e tij analitike nëse do t'i referohej çdo operacioni kundër terrorizmit, në çdo kohë. As strukturat qeveritare dhe regjimet juridike të krijuara gjatë kësaj periudhe nuk janë zhdukur.
Periudhat historike rrallë kanë kufij krejtësisht të prerë. Megjithatë, trashëgimia e një konflikti nuk është e njëjtë me vetë konfliktin. Lufta e Ftohtë vazhdon të ketë pasoja edhe sot, por si konkurrencë globale ndërmjet superfuqive komuniste dhe atyre demokratike-kapitaliste ajo përfi qartësisht gjatë viteve 1989–1991.
Sipas autorit, e njëjta logjikë vlen për Luftën kundër Terrorit: pasojat e saj do të vazhdojnë për dekada, por konflikti si periudhë historike ka marrë fund. Mësimet që Uashingtoni duhet të nxjerrë
Lufta kundër Terrorit krijoi disa zakone në politikëbërjen amerikane që, sipas autorit, duhet t'i përkasin së kaluarës.
Një prej tyre ishte gatishmëria për t'u dhënë përfitimin e dyshimit vendeve si Rusia dhe Pakistani, të cilat bashkëpunonin me SHBA-në kundër terrorizmit, por njëkohësisht ndiqnin politika që binin ndesh me interesat amerikane.
Rusia, për shembull, ishte një partnere e rëndësishme në luftën kundër xhihadizmit në Azinë Qendrore dhe në mbajtjen në funksion të rrjeteve logjistike për luftën në Afganistan. Por bashkëpunimi kundër terrorizmit jo vetëm krijoi shpresa të gabuara për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën, sipas argumentit të autorit, por gjithashtu i shtyu politikëbërësit të nënvlerësonin shenjat në rritje të autoritarizmit dhe revanshizmit rus gjatë fundit të viteve 2000 dhe viteve 2010.
Një tjetër prirje problematike ishte shndërrimi i armiqve terroristë të vendeve të tjera në armiq të Uashingtonit.
Pas 11 shtatorit, për shembull, administrata Bush e rriti ndjeshëm ndihmën amerikane për Kolumbinë për të luftuar kryengritjen e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, FARC, të cilën drejtuesit kolumbianë e paraqitën si pjesë të Luftës kundër Terrorit.
Autori e konsideron këtë një përdorim të diskutueshëm të burimeve amerikane kundër një grupi që nuk kërcënonte territorin e SHBA-së dhe argumenton se kjo mbështetje kontribuoi në një luftë të ashpër kundër kryengritjes në Kolumbi.
Duke e lidhur këtë mësim me të tashmen, autori argumenton se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të hyjnë në luftëra të reja apo të komprometojnë parimet e tyre për të luftuar armiqtë e vendeve të tjera, duke përmendur Hamasin dhe Hezbollahun si shembuj të organizatave që, sipas tij, nuk paraqesin kërcënim të konsiderueshëm për territorin amerikan.
Së fundi, pranimi se Lufta kundër Terrorit ka përfunduar duhet t'i nxisë politikëbërësit amerikanë të pranojnë se terrorizmi është pjesë e realitetit të një bote të globalizuar, por jo një kërcënim ekzistencial për Shtetet e Bashkuara.
Bindja se SHBA-ja duhej të ndërmerrte ndryshime regjimesh dhe fushata të gjera për ndërtimin e shteteve të tjera për t'u mbrojtur nga terrorizmi çoi, sipas autorit, në një shtrirje të tepruar dhe të kushtueshme të fuqisë amerikane, e cila përfi duke e përkeqësuar problemin fillestar.
Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të përdorin një kombinim mjetesh ushtarake, të inteligjencës dhe juridike për të luftuar terrorizmin. Por sfida, sipas autorit, është që ky kërcënim të mos përcaktojë përsëri të gjithë strategjinë e madhe amerikane, siç ndodhi gjatë dy dekadave të para të shekullit XXI. /Përshtati "Pamfleti" nga "ForeignPolicy" whatsapp image 2026 09 05 at 131939 whatsapp image 2026 09 05 at 131939 1 whatsapp image 2026 09 05 at 131939 2 whatsapp image 2026 09 05 at 131939 3 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Fundi i magjepsjes: Një Ukrainë e sfilitur nga lufta po nis t’i kthejë shpinën Zelensky-t 5 Shtator 2026, 14:0614:06Rajoni dhe Bota Lufta me Iranin: Pse zgjedhjet e mesmandatit në SHBA mund të jenë vendimtare 5 Shtator 2026, 13:3213:32Rajoni dhe Bota Pse Trump po e provokon Britaninë me këtë luftë gati të harruar? 5 Shtator 2026, 13:2913:29Rajoni dhe Bota “Riviera” e Mariupolit: djali i oligarkut të Putinit ndërton apartamente në qytetin e pushtuar 5 Shtator 2026, 13:0413:04Rajoni dhe Bota Të dërguarit e Trump në Moskë, në tryezë marrëveshja për Ukrainën 5 Shtator 2026, 12:4812:48Rajoni dhe Bota Kryeministri kroat: Kujdes me anëtarësimin e Serbisë në BE 5 Shtator 2026, 12:2612:26Rajoni dhe Bota

