Detaje të reja janë zbardhur nga tentativa për të futur lëndë narkotike në ambientet e paraburgimit nr. 313 në Tiranë. Bëhet fjalë për 17 porcione kokainë dhe 13 porcione hashash, të cilat dyshohet se ishin destinuar për një prej të paraburgosurve.
Sipas të dhënave të bëra publike, pritësi i drogës dyshohet të ishte Oltjon Asllani, i cili prej gushtit 2025 ndodhet në masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi është arrestuar për akuzat e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” dhe “Vrasjes në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, ndaj dy personave në Kombinat.
Policia e Burgjeve kishte marrë më herët informacion se Asllani, në bashkëpunim me persona jashtë ambienteve të paraburgimit, po tentonte të fuste drogë brenda institucionit me qëllim shitjen e saj.
Pas këtij informacioni, familjarët që sillnin ushqime dhe veshmbathje për të janë mbajtur nën verifikim.
Dyshimet u konkretizuan kur në paraburgim u paraqit Seit Xhometa, familjar i Asllanit, i cili kishte sjellë veshmbathje, por edhe disa kuti makaronash në formë tubi.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të pakove sipas gazetarit Qyno, efektivët zbuluan brenda makaronave 17 porcione me kokainë dhe 13 porcione me hashash.
Xhometa u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij është ngritur akuza për “Futjen e lëndëve narkotike” në ambientet e burgut.
Gjatë marrjes në pyetje, Xhometa ka pretenduar se nuk kishte dijeni për drogën që ndodhej brenda kutive. Megjithatë, pretendimi i tij nuk e ka shmangur arrestimin dhe tashmë çështja pritet t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
Hetuesit pritet të verifikojnë nëse bëhet fjalë për një tentativë të organizuar për futjen dhe shpërndarjen e drogës brenda paraburgimit, si dhe rolin që mund të ketë pasur i paraburgosuri Oltjon Asllani në këtë skemë.

