Tre shqiptarë janë mes gjashtë personave të arrestuar nga autoritetet austriake, në kuadër të një hetimi disa-mujor për një grup të dyshuar të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua më 1 tetor në zonën e Schwechat, pranë Vjenës, pas një hetimi të nisur që në fillim të qershorit nga Zyra e Policisë Kriminale të Vjenës.
Sipas Policisë së Vjenës, me mbështetjen e njësisë speciale WEGA, hetuesit lokalizuan një prej personave të dyshuar dhe e mbajtën nën vëzhgim. Gjatë ndërhyrjes u arrestuan gjashtë persona.
Në mesin e tyre janë tre shtetas shqiptarë, të moshave 46, 42 dhe 38 vjeç, si dhe tre shtetas italianë, 72, 53 dhe 23 vjeç. Autoritetet austriake nuk kanë bërë publike emrat e të arrestuarve apo rolin që dyshohet se ka pasur secili prej tyre në grup.
Gjatë operacionit, policia gjeti një kartë çelësi që i çoi hetuesit drejt një dhome hoteli në Niederösterreich. Kontrolli i saj çoi në sekuestrimin e rreth 11 kilogramëve kokainë, si dhe një shume parash dhe disa telefona celularë.
Të gjashtë personat janë arrestuar përkohësisht, ndërsa hetimet e Zyrës së Policisë Kriminale të Vjenës vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit dhe rolit të personave të arrestuar.
Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë publikuar detaje të tjera mbi identitetet e tre shqiptarëve.

