PolitikëReuters: Revolta e Gjeneratës Z përfshin Evropën, Shqipëria mes vendeve ku studentët kërkojnë ndryshim dhe dorëheqjen e Ramës
Nga Beogradi në Tiranë, mijëra të rinj po dalin në rrugë kundër korrupsionit, kushteve të dobëta në arsim, mungesës së mundësive ekonomike dhe një politike që, sipas tyre, nuk i dëgjon. Reuters i kushton vëmendje protestave të Gjeneratës Z në Evropë, duke përfshirë edhe lëvizjen studentore në Shqipëri, ku kërkesat për ndryshim janë përqendruar te qeveria e Edi Ramës. Zemërimi i të rinjve po shndërrohet në një lëvizje proteste që përfshin gjithnjë e më shumë vende të Evropës. Nga periferitë e Parisit te sheshet e Beogradit dhe rrugët e Tiranës, studentët dhe të rinjtë po kundërshtojnë korrupsionin, pabarazinë, kushtet e dobëta në shkolla dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen. Në një artikull të publikuar këtë të mërkurë, agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters analizon përhapjen e protestave të Gjeneratës Z, duke evidentuar pakënaqësinë e një brezi që ndihet i përjashtuar nga vendimmarrja dhe që kërkon të ketë më shumë ndikim në të ardhmen e vendeve të tij.