Politikë“Kur profesorja e Solfezhit po mësonte të vilte pambuk nëpër arat e Lushnjës, një kooperativiste e dalluar e fshatrave të këtij rrethi, Lenka Çuko…”/ Historia e panjohur e tre kushërirave të Enver Hoxhës
“… Punoja në rrallim pambuku… punë që nuk e pata të vështirë ta mësoja, sepse i kisha të shkathëta lëvizjet e gishtave prej pianos…”, është një fjali e shkëputur nga rrëfimi i një gruaje të moshuar, Suzana Hoxha, për një kohë të vështirë të jetës së saj. Koha kur ishte internuar në Savër të Lushnjës. Kishte qenë mësuese Solfezhi në Liceun e Tiranës dhe për shkak të persekutimit të familjes, bashkë me dy motrat, nënën dhe babanë, u dëbuan me forcë për në fshatin e Lushnjës, atje ku ishin ngujuar familjet e “armiqve të popullit”. Fiks në atë kohë, kur Suzana u detyrua me dhunë të jetojë në internim në Savër e të vilte pambuk po me detyrim, një vjelëse e dalluar e pambukut, shoqja Lenka Çuko, u transferua në Tiranë dhe u emërua udhëheqëse në nivelin më të lartë të shtetit komunist diktatorial.