PolitikëKriza kombëtare ante portas…
Të jem i qartë që në krye të herës: personalisht mbështes dhe do të mbështes në vijimësi çdo formë të protestave paqësore si një e drejtë demokratike e çdo qytetari, madje ndër të parat lëshime të detyruara që regjimi i shkuar bëri qysh në ditën e parë të pranimit të pluralizmit politik dhe heqjes së rolit udhëheqës të partisë (ish-Partia e Punës e Shqipërisë në atë kohë). Në këtë kuptim, dënoj me forcë sjelljen brutale të policisë ndaj të rinjve dhe studentëve protestues të ditëve të fundit, gjurmimin dhe rrahjen e tyre në qytet pa pasur një ndalim qarkullimi, ndalimin dhe shoqërimin e të miturve në shkelje të procedurave ligjore në fuqi, etj. Në të njëjtën kohë, shpreh solidaritet me bizneset e dëmtuara këto ditë dhe shpreh keqardhjen time për dëmtimin e pronës publike; përgjegjësit duhet të ndëshkohen, sigurisht mbi bazën e provave ligjore dhe jo të opinioneve apo mllefit arbitrar, si ai që përcolli sot në mëngjes Kryeministri Rama.