Egnatia tashmë e di të gjithë rrugëtimin e saj në fazën e ligës së UEFA Conference League. Kampionët e Shqipërisë do ta nisin aventurën historike më 15 tetor, në shtëpi ndaj danezëve të Midtjylland, ndërsa gjashtë ndeshjet do të mbyllen më 17 dhjetor në transfertën ndaj Bragës në Portugali. Rrogozhinasit do të zhvillojnë tre ndeshje në shtëpi dhe tre në transfertë, me një kalendar që i rezervon skuadrës së Nevil Dedes përballje me ekipe nga Danimarka, Rumania, Gjibraltari, Lituania dhe Portugalia.
Egnatia – Midtjylland, starti i madh
Aventura europiane do të nisë më 15 tetor 2026, me Egnatian që do të presë në shtëpi Midtjyllandin. Takimi është programuar për orën 18:45. Një debutim i vështirë, por edhe prestigjioz për kampionët e Shqipërisë, që do ta nisin fazën e ligës përballë një kundërshtari danez. Vetëm një javë më vonë, më 22 tetor, Egnatia do të udhëtojë në Danimarkë për t’u përballur me Aarhusin. Kjo sfidë është programuar për orën 21:00.
Craiova në transfertë, më pas dy ndeshje në shtëpi
Ndeshja e tretë do të jetë sërish një transfertë. Më 5 nëntor, Egnatia do të përballet në Rumani me Universitatea Craiova, në një tjetër sfidë që pritet të jetë e rëndësishme për objektivin e skuadrës shqiptare. Pas dy transfertave, rrogozhinasit do të kenë dy ndeshje radhazi në shtëpi. Më 26 nëntor, Egnatia do të presë Lincoln Red Imps të Gjibraltarit, me ndeshjen që do të nisë në orën 18:45. Më pas, më 10 dhjetor, në stadiumin e saj do të vijë Kauno Žalgiris i Lituanisë. Kjo ndeshje do të luhet në orën 21:00.
Dy sfidat në shtëpi mund të rezultojnë vendimtare për Egnatian në përpjekjen për të grumbulluar sa më shumë pikë dhe për të synuar një pozicion që i garanton vazhdimin e aventurës europiane.
Mbyllja në Portugali
Ndeshja e fundit e fazës së ligës do të jetë edhe një prej testeve më të forta. Më 17 dhjetor, Egnatia do të udhëtojë në Portugali për t’u përballur me Bragën. Takimi do të nisë në orën 21:00 dhe do të jetë sfida e gjashtë dhe e fundit e rrogozhinasve në këtë fazë. Në total, Egnatia do të ketë tre ndeshje në shtëpi dhe tre në transfertë, me fazën e ligës që nis më 15 tetor dhe përfn më 17 dhjetor. Për kampionët e Shqipërisë kjo është një faqe historike, pasi Egnatia do të marrë pjesë për herë të parë në fazën e ligës së një kompeticioni europian. Pas eliminimit nga Lillestrom në play-off-in e Europa League, rrogozhinasit siguruan pjesëmarrjen në Conference League dhe tani kanë përpara gjashtë ndeshje për të kërkuar një tjetër mrekulli europiane.
Objektivi do të jetë grumbullimi i sa më shumë pikëve për të synuar një vend mes 24 skuadrave të para, që do të vazhdojnë më tej në fazën e eliminimit direkt. Top Channel

