Zëvendësministri i Brendshëm i Greqisë, përgjegjës për Maqedoninë dhe Trakinë, Kostas Gjolekas, vizitoi dje Korçën, i shoqëruar nga një delegacion me përfaqësues të biznesit, të qeverisjes vendore dhe të universiteteve të Greqisë Veriore. Gjatë qëndrimit në qytetin juglindor të Shqipërisë, zyrtari grek artikuloi disa deklarata, që lanë të kuptohet se grekët kanë jetuar dhe vijojnë të jetojnë në Korçë. “Çdo grek duhet të kalojë edhe nëpër Korçë, për të parë rrënjët e popullit tonë që ishte këtu e që vazhdon të jetë këtu”, deklaroi Gjolekas gjatë takimit me Mitropolitin Anastasios, sipas agjencisë shtetërore greke të lajmeve. Zëvendësministri grek vlerësoi gjithashtu rëndësinë historike të Kishës së Korçës, duke u shprehur se grekët duhet ta vizitojnë atë për të njohur nga afër trashëgiminë e saj. Gjatë vizitës, Gjolekas dhe delegacioni që e shoqëronte u ndalën edhe në godinën historike të Konsullatës Greke në Korçë, ku zyrtari u takua me konsullin Asterios Buzias. Në përfundim të qëndrimit në qytet, zëvendësministri grek zhvilloi takime edhe me anëtarë dhe përfaqësues të pakicës etnike greke në Korçë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

