Deklarata e fundit e Zëvendëskryeministres Albana Koçiu lidhur me protestën e sotme të studentëve ka nxitur reagime të ashpra në rrjet, ku qytetarët e konsiderojnë këtë një tentativë për të shmangur përgjegjësinë dhe për të fyer indinjatën reale të rinisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu ka zgjedhur të mbrojë uniformat e policisë dhe të vërë gishtin te studentët, duke i etiketuar ata si të orkestruar nga politika e opozitës dhe duke kritikuar dëmtimin e pronës publike. Sipas saj, sjellje të tilla "nuk i kanë hije rinisë". Reagimi i plotë i Albana Koçiut: "E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të “provokuar” rëndë nga pllakat e trotuareve. Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike." Çfarë harroi të përmendë Zv.kryeministrja?
Prapa kësaj deklarate "moralizuese", Albana Koçiu ka zgjedhur me vetëdije të injorojë plotësisht pamjet tronditëse që po bëjnë xhiron e rrjetit. Në vend që të mbajë përgjegjësi apo të kërkojë hetim, zyrtarja e lartë e qeverisë nuk tha asnjë fjalë për: Shkopinjtë e gomës mbi trupat e studentëve që kërkojnë të drejtat e tyre minimale. Tërheqjen zvarrë në rrugë të të rinjve nga efektivët e policisë. Dhunën brutale fizike, përfshirë shkelmat e grushtat ndaj qytetarëve e protestuesve të pambrojtur. Në vend që të dëgjojë zërin e të rinjve që protestojnë për të ardhmen e tyre, pushteti zgjedh t'i etiketojë ata si "të përdorur", duke u përpjekur ta kthejë një kauzë të drejtë studentore në një betejë banale politike.

