Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve” për periudhën 2020 –2024.Rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet publike nuk kanë arritur të sigurojnë rritje të kënaqshme të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse. Ndonëse është shënuar progres në përfshirjen e grave në shërbimin civil ku gjatë periudhës së audituar 2020–2024, ato përbënin 42% të të punësuarve në shërbimin civil, megjithatë nga 1,459 pozita drejtuese prej tyre 988 mbaheshin nga burrat dhe 471 gratë. Kjo tregon se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil nuk është reflektuar në të njëjtën masë në pozitat vendimmarrëse.Auditimi ka konstatuar se objektivat për barazi gjinore nuk janë shndërruar mjaftueshëm në masa konkrete dhe të monitorueshme në menaxhimin e burimeve njerëzore. Masat afirmative janë trajtuar kryesisht si mundësi ligjore që mund të përdoret në raste të veçanta dhe jo si instrument aktiv për adresimin e nën-përfaqësimit të grave. Edhe zhvillimi profesional nuk është orientuar mjaftueshëm drejt përgatitjes dhe mbështetjes së grave për avancim në karrierë.Mangësi janë evidentuar edhe në regjistrimin, përditësimin dhe raportimin e të dhënave sipas gjinisë, si dhe në koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Kjo ka kufizuar analizën e përfaqësimit gjinor, monitorimin e progresit dhe planifikimin e masave për rritjen e pjesëmarrjes së grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse.Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në shërbimin civil duhet të reflektohet edhe në pozitat vendimmarrëse. Znj. Spanca theksoi nevojën që institucionet ta shndërrojnë barazinë gjinore nga një parim i përgjithshëm në veprime konkrete, të zbatueshme dhe të monitorueshme, duke përdorur më aktivisht masat afirmative, zhvillimin profesional dhe të dhënat e ndara sipas gjinisë. Me qëllim të përmirësimit të përfaqësimit të grave në pozita udhëheqëse dhe vendimmarrëse Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë gjashtë rekomandime për institucionet përgjegjëse, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

