Një vatër zjarri ka përfshirë masivin pyjor mbi qytetin e Milotit, në Bashkinë Kurbin, duke shkaktuar shqetësim për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve. Bimësia e dendur dhe terreni i vështirë po favorizojnë avancimin e zjarrit, ndërsa tymi dhe flakët janë afruar pranë zonave të banuara, duke rritur rrezikun për banorët dhe objektet që ndodhen në afërsi. Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse të Bashkisë Kurbin, të mbështetura nga zjarrfikësit e Lezhës dhe Kamzës, si dhe strukturat e tjera të emergjencave. Forcat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas prefektit të Lezhës, Taulant Malshi, i cili ndodhet në vendngjarje, ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri. Malshi theksoi se terreni është tepër i vështirë, ndërsa prania e dendur e bimësisë po favorizon përhapjen e shpejtë të zjarrit, veçanërisht në zonën pranë banesave. Forcat në terren vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll situatën dhe për të shmangur përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

