Zjarri në zonën e Llogarasë, pranë tunelit, vijon të jetë aktiv dhe me intensitet të lartë, ndërsa flakët kanë përfshirë prej orësh sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre dhe pyll. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë të shërbimit zjarrfikës, Forcave të Armatosura dhe strukturave të emergjencave civile, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit. Operacioni po mbështetet edhe nga ajri, ku dy helikopterë po kryejnë hedhje uji në zonat e prekura për të frenuar përhapjen e flakëve në terrenin e vështirë malor. Autoritetet bëjnë me dije se ndërhyrja do të vijojë deri në neutralizimin e plotë të zjarrit, ndërsa forcat e angazhuara mbeten në gatishmëri për të shmangur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
