Kryetarja e Bashkisë Vlorë: Shëndeti dhe siguria e qytetarëve e pushuesve, shqetësimi ynë i parë Pas situatës së vështirë të krijuar nga zjarri në Vlorë, kryetarja e Bashkisë, Bruna Mersini së bashku me ekipin e bashkisë, drejtuesin e operatorëve turistikë Vasil Bedini dhe përfaqësuesesit e biznesit zhvilloi një takim për të diskutuar masat dhe reagimin ndaj situatave të tilla. Në një reagim të saj, kryetarja e bashkisë thekson se prioritet mbetet shëndeti dhe siguria e qytetarëve dhe pushuesve të prekur nga zjarri. Ajo shprehet se është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe qendrat spitalore ku të dëmtuarit po marrin kujdesin mjekësor. “Si mjeke, si nënë e pastaj me të gjitha përgjegjësitë e kryetarit të bashkisë, jam në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe qendrat spitalore”, shprehet ajo, duke uruar shërim të plotë për të gjithë të prekurit. Kryetarja e Bashkisë Vlorë nënvizon gjithashtu rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit mes institucioneve, bizneseve dhe komunitetit për përballimin e situatave emergjente. “Kur përballemi me to, duhet të jemi pranë njerëzve dhe të reagojmë menjëherë, të gjithë bashkë”, thekson ajo.

