Kurora e gjelbër e qytetit të Pukës është rrezikuar seriozisht mëngjesin e kësaj të marte, pasi një vatër zjarri përfshiu një pjesë të sipërfaqes së pyllëzuar. Dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, ndërsa përballë flakëve kanë ndërhyrë menjëherë shërbimet zjarrfikëse të Pukës, të ndihmuara edhe nga banorët e lagjes Laçaj. Ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur vënien nën kontroll të flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre dhe marrjen e përmasave më të mëdha. Kurora e Pukës, e karakterizuar kryesisht nga drurë pishe, konsiderohet një prej pasurive natyrore më të çmuara të qytetit. Prej vitesh, banorët kanë kontribuar në mbrojtjen e kësaj zone nga zjarret.
Kjo është hera e parë pas shumë vitesh që një zjarr kërcënon seriozisht këtë hapësirë të gjelbër, e cila shtrihet në qindra hektarë rreth qytetit të Pukës. Ndërkohë, Policia ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit dhe për të verifikuar dyshimet për një zjarrvënie të mundshme të qëllimshme. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

