Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 7 nën mbikëqyrje. Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 354 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 155 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat aktive:
* Mali i Dajtit – vijon operacioni me mbështetjen e 30 efektivëve të FA-së. Gjatë ditës së djeshme u angazhuan 25 efektivë MZSH, 5 ADZM, 30 FA, si dhe kapacitetet ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
* Qafë e Helmes, Bulqizë – sot është riaktivizuar zjarri në dy vatra në pyll me pisha të dendura. Në operacion janë angazhuar 11 efektivë MZSH për vendosjen e situatës nën kontroll.
* Shtuf, Mirditë – vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.
* Shtanë–Tenë, Mirditë – situata paraqitet e stabilizuar. Sot vijon puna me 6 efektivë MZSH, 6 punonjës të shërbimit pyjor dhe 15 forca bashkiake. Nuk ka rrezik për banesat.
* Prozhem, Pukë – vatra vijon aktive në sipërfaqe pyjore. Operacioni vijon me strukturat vendore dhe 30 efektivë të FA-së. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Ndërkohë, situata në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh është izoluar ose shuar dhe po mbahet nën mbikëqyrje.
* Mali i Çikës, mbi Palasë – vatra vijon në terren të thepisur dhe të paaksesueshëm, ndërsa sot operacioni për fikjen përfundimtare mbështetet nga 2 avionë Air Tractor.
Pavarësisht terrenit të vështirë dhe ndikimit të erës në disa zona, situata në disa prej vatrave kryesore është përmirësuar, ndërsa operacionet vijojnë me fokus izolimin e vatrave aktive, parandalimin e riaktivizimeve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve. Top Channel

