Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se në përgjithësi situata paraqitet e stabilizuar dhe nën kontroll. Sipas informacionit të publikuar nga MM, vijon puna në disa vatra aktive, ndërsa zonat e prekura po monitorohen. Ministria thekson se nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë ndërhyrjet në terren. Tiranë Në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit në Selitë, vijon monitorimi i një vatre zjarri. Në Cikallesh të Kavajës, zjarri i riaktivizuar një ditë më parë vijon të jetë aktiv, por situata nuk paraqitet problematike. Vatra po menaxhohet nga strukturat zjarrfikëse, pas mbështetjes edhe me një mjet ajror të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla. Fier Në zonën Riban–Ngraçan–Panahor–Ndrenie–Vlosht, në Mallakastër, zjarri është aktualisht nën kontroll. Nën kontroll është edhe zjarri që ka avancuar nga Hekali drejt zonës Koilac–Greshicë. Durrës Në Abaze të Krujës, situata është stabilizuar dhe zjarri është nën kontroll. Në terren kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla me tym. Për menaxhimin e situatës po vijon ndërhyrja dhe monitorimi me 2 helikopterë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 mjete zjarrfikëse, si dhe 12 efektivë dhe 3 mjete të MZSH Krujë. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e Mbrojtjes Civile do të vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në terren deri në eliminimin e plotë të të gjitha vatrave të zjarrit.
