Lajme Zone
Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 4 vatra mbeten aktive, situata më problematike në Malin e Dajtit
TeknologjiEuronews Albania

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 4 vatra mbeten aktive, situata më problematike në Malin e Dajtit

Ministria e Mbrojtjes ka informuar mbi situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Sipas informacionit në territorin e vendit janë raportuar 26 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 2 nën mbikëqyrje.

Ministria e Mbrojtjes ka informuar mbi situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Sipas informacionit në territorin e vendit janë raportuar 26 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 2 nën mbikëqyrje. Për përballimin e situatës Ministria raporton se janë angazhuar në total 315 forca operacionale dhe 25 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të operacioneve janë përdorur 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura. Situata më problematike vijon në Malin e Dajtit, veçanërisht në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë evidentuar riaktivizime dhe zgjerim të zjarrit. Sot operacioni vijon me 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM dhe 20 efektivë të FA. Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Në Vajkal operojnë 38 forca të MZSH/bashkisë dhe 30 efektivë të FA, ndërsa në Sllatinë janë angazhuar 91 forca; për këtë të fundit nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit mbahen nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Gjatë natës është regjistruar gjithashtu një tërmet me magnitudë ML 4.7, me epiqendër në njësinë administrative Vergo, bashkia Delvinë, pa problematika të raportuara në komunitet apo infrastrukturë. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.