Lajme Zone
Zjarret në Dibër, 3 vatra aktive/ Flakët në Lurë pranë banesave, rrezikohet përhapja drejt Matit
Të tjeraTop Channel

Zjarret në Dibër, 3 vatra aktive/ Flakët në Lurë pranë banesave, rrezikohet përhapja drejt Matit

Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarkun e Dibrës, ndërsa autoritetet kanë angazhuar dhjetëra forca për monitorimin dhe përballimin e situatës.

Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarkun e Dibrës, ndërsa autoritetet kanë angazhuar dhjetëra forca për monitorimin dhe përballimin e situatës. Vatra kryesore ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës, ku gjatë natës zjarri ka pasur zhvillime të pakta në tre drejtime: nga Gura e Lurës, nga Fushë-Lura dhe mbi fshatin Borie Lurë.

Sipas vlerësimit të autoriteteve, një nga vatrat zhvillohet në një perimetër pranë banesave, por deri tani nuk ka pasur zgjerim të tij.

Situata duket e qetë në orët e para të mëngjesit, por me rritjen e temperaturave pritet që terreni të bëhet më i vështirë dhe disa vatra mund të dalin jashtë kontrollit.

Për përballimin e situatës në Lurë janë angazhuar 180 forca nga bashkia, MZSH, shërbimet pyjore, ADZM dhe njësitë e vullnetarëve, si dhe 15 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacion pritet të përfshihen edhe dy avionë Air Tractor.

Ndërkohë, aktive vijon edhe vatra në Qafë Helmës, në territorin e njësisë Fushë-Bulqizë-Selishtë. Zjarri po zhvillohet në dy drejtime, nga Fushë-Bulqiza dhe nga ana e fshatit Kacni.

Gjatë natës janë shënuar zhvillime të pakta, por autoritetet paralajmërojnë se rritja e temperaturave mund të favorizojë përhapjen e flakëve në pyjet e larta me ah.

Në këtë zonë janë angazhuar 11 efektivë të MZSH-së, 5 forca të njësisë Selishtë dhe 8 vullnetarë. Operacioni do të vijojë kryesisht me monitorim.

Një tjetër vatër mbetet aktive nga krahu i fshatit Lufi, në drejtim të Mirditës. Gjatë natës zjarri është aktivizuar edhe pranë zonës kufitare.

Sipas vlerësimit të autoriteteve, flakët ndodhen rreth 200 metra nga pjesa ku bashkohet me Bruçin dhe, nëse vijon përhapja, zjarri mund të kalojë në territorin e Bashkisë Mat.

Në këtë zonë janë angazhuar 6 efektivë të MZSH-së, një mjet zjarrfikës, 5 forca të njësisë dhe 5 vullnetarë.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të treja vatrat, ndërsa rritja e temperaturave gjatë ditës pritet të jetë faktori kryesor që do të përcaktojë ecurinë e zjarreve. Top Channel