Lajme Zone
Zjarret në Algjeri shkaktojnë 12 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, mes viktimave edhe një 8-vjeçar
BotëTop Channel

Zjarret në Algjeri shkaktojnë 12 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, mes viktimave edhe një 8-vjeçar

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga zjarret masive pyjore që kanë përfshirë verilindjen e Algjerisë. Flakët kanë detyruar gjithashtu shumë familje të braktisin shtëpitë e tyre.

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga zjarret masive pyjore që kanë përfshirë verilindjen e Algjerisë. Flakët kanë detyruar gjithashtu shumë familje të braktisin shtëpitë e tyre. Sipas autoriteteve dhe mediave algjeriane, viktimat janë regjistruar në provincat Jijel, Bejaia dhe Tizi Ouzou. Pesë persona kanë humbur jetën në Jijel, katër në Bejaia dhe tre në Tizi Ouzou.

Situata paraqitet veçanërisht e rëndë në Bejaia, ku mes viktimave janë një djalë 8-vjeçar dhe një grua 22-vjeçare. Në këtë provincë janë plagosur 54 persona, gjashtë prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.

Ministri i Brendshëm, Said Sayoud, dhe ministri i Shëndetësisë, Mohamed Sadiq Ait Messaoud, udhëtuan drejt Bejaias për të monitoruar nga afër operacionet për shuarjen e zjarreve dhe gjendjen e të plagosurve.

Dhjetëra fronte zjarri po përhapen të ndihmuara nga erërat e forta, ndërsa autoritetet kanë angazhuar forca dhe mjete të shumta për të frenuar flakët.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë banorë të alarmuar që kërkojnë strehim, ndërsa tymi dhe flakët afrohen drejt zonave të banuara. Shumë familje janë evakuuar në zona të ndryshme, ndërsa tre rrugë kombëtare në lindje të vendit janë mbyllur për shkak të zjarreve.

Zjarret pyjore janë një fenomen i përsëritur gjatë verës në veri të Algjerisë. Thatësirat dhe valët e të nxehtit, të cilat janë përkeqësuar nga ndryshimet klimatike, favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve.

Në vitet e fundit, zjarret në Algjeri kanë shkaktuar dhjetëra viktima, kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjore dhe bujqësore dhe kanë djegur banesa. Në disa raste, autoritetet kanë deklaruar se zjarret dyshohet se janë shkaktuar qëllimisht dhe kanë arrestuar persona të dyshuar për zjarrvënie. Top Channel