Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë orëve të natës zonën e grumbullimit të mbeturinave në fshatin Halil të Fushë-Krujës, duke shkaktuar shqetësim të madh te banorët e zonës.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë flakë të larta dhe sasi të mëdha tymi të zi që dalin nga vendi ku janë grumbulluar mbeturinat, ndërsa situata paraqitet alarmante për shkak të afërsisë me zonat e banuara.
Një qytetar ka dërguar një video dhe ka ngritur shqetësimin për rrezikun që paraqet zjarri për familjet që jetojnë pranë kësaj zone.
“Përshëndetje! Dua të raportoj se mbeturinat pranë banesës sime, në lagjen Halil, Fushë-Krujë, kanë marrë flakë. Tymi është i madh dhe po ndot ajrin, duke paraqitur rrezik për banorët përreth”, shkruan qytetari për JOQ Albania.
Një tjetër banor kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet, duke paralajmëruar se flakët mund të rrezikojnë zonat përreth.
“Mirëmbrëma JOQ, mbeturinat e Fushë-Krujës po digjen në flakë në këto momente, në zonë të banuar. Ju lutem të njoftohet ndonjë helikopter se është në rrezik krejt fshati Halil dhe Kameras”, shprehet qytetari.
Sipas banorëve, tymi i krijuar nga djegia e mbeturinave po përhapet në zonën përreth dhe po ndikon në cilësinë e ajrit, duke shtuar shqetësimin për shëndetin e komunitetit.
Situata bëhet edhe më problematike pasi zjarri ka rënë pranë zonave të banuara, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për kontrollimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre.
JOQ Albania publikon pamjet dhe shqetësimin e banorëve, ndërsa mbetet në pritje të informacionit zyrtar nga autoritetet për masat e marra dhe ndërhyrjen në terren. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

